Miguel Diaz-Canel, presidenti ri i Kubës

E publikuar: 19/04/2018 17:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Miguel Diaz-Canel u bë sot presidenti ri i Kubës. Lëvizja shënon fundin e një epoke për Kubën, duke e bërë Diaz-Canelin personin e parë jashtë familjes Castro që do të drejtojë vendin në 59 vjet. Raul Castro do të mbetet megjithatë kreu i Partisë Komuniste në pushtet deri në vitin 2021 dhe pritet të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në vendimet politike të vendit.

Miguel Diaz-Canel, i cili ka shërbyer deri tani në postin e zëvendës presidentit, u emërua zyrtarisht si presidenti i ri i Kubës sot, një ditë pas votimit në Asamblenë Kombëtare të vendit.

Është hera e parë në gati gjashtë dekada që vendi komunist nuk do të udhëhiqet nga një anëtar i familjes Castro.

Diaz-Canel, 57 vjeç, u zgjodh si kandidati i vetëm për të zëvendësuar Raul Castro, 86 vjeçar.

Diaz-Canel i cili nuk kishte lindur ende kur Fidel Castro udhëhoqi revolucionin e tij në vitin 1959, duket se është liberal dhe konsiderohet si një pasardhës i pranueshëm nga udhëheqësit e moshuar që luftuan në revolucion.

“Diaz-Canel do të bëjë më të mirën për vendin. Ai do të ndjekë procesin tonë historik me të cilin kemi jetuar deri tani, do të bëjë shumë gjëra të mira për ne dhe do të na përfaqësojë mirë në qeveri”, thotë Yaliuska Moran, banore e Kubës.

Por për momentin, Raul Castro, presidenti që po largohet do të mbetet personi më i fuqishëm në Kubë.

86-vjeçari Castro do të mbetet kreu i Partisë Komuniste, të përcaktuar nga kushtetuta si “forca udhëzuese superiore e shoqërisë dhe shtetit”.