Migjen Kelmendi: Në rolin e Odiseut e shoh jo vetëm PDK-në, por edhe votuesin (VIDEO)

E publikuar: 07/09/2019 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ikona kosovare e muzikës rock, Migjen Kelmendi, që së fundmi u bë pjesë e PDK-së, ka thënë se nuk beson që vepra e tij kulturore do të marrë ngjyrim pas përfshirjes në politikë.

“Angazhimi jem në politikë në esencë nuk është kushedi diçka e re. Unë kam qenë gjithmonë aty, veç nga një kënd tjetër”.

Kelmendi në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar se pse ka vendosur ta nisë rrugëtimin e tij politik.

“Një nga arsyet që më bëri ta marrë këtë vendim është, si gjithmonë, sfida kur ka Kosova zor, kur Kosova ka rreziqe, kur Kosova do njerëz të fuqishëm dhe idealistë që guxojnë dhe që mund të marrin vendime”.

“Po i bëj 60 vjet dhe në këtë kontekst po konstatoj që sot Kosova gjendet para një sfide njësoj të madhe si në vitet 1997-1999. Sipas bindjeve të mia, Kosova është edhe shumë pak hapa afër deri te rrumbullakësimi i projektit shtetformues”.

“Sa herë që Kosova ka ndonjë zor, sfidë apo rrezik, mua më bën që të kaloj në aksion, siç pata kaluar në vitet 1997-1999. Unë, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe të tjerë kemi qenë afër, por jo miq. Ata ishin në cilësinë e luftëtarit, ndërsa unë në cilësinë e gazetarit”.

“Sot jemi në atë kontekst kur duhet të merren vendime të mëdha dhe duhet të guxim dhe vendosmëri si në vitet 1997 dhe 1999”.

“Kosova është vetëm disa hapa afër që ta rrumbullakësojë këtë proces të shtetformimit. Sa më shumë që po i afrohemi atij momenti, ju po e hetoni se sa po rriten zërat, sa shumë po shtohen protagonistët, se si po përmbysen argumentet dhe po keqinterpretohen patriotizmi dhe idealizmi”.

Kelmendi ka thënë që është krijuar një kakofoni që kërkon vendosmëri, largpamësi dhe guxim si në vitet 1997 dhe 1999.

“Në këtë kontekst e shoh prapë PDK-në, po ajo PDK që i priu proceseve në shpalljen e Pavarësisë. Sot jemi te akti i cili na ndihmon ta rrumbullakësojmë këtë projekt shtetformues që t’i hapë mundësitë Kosovës që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare”.

“Sa më shumë po afrohemi më shumë po shtohen zhurmat, sharlatanët, protagonistët dhe në një mënyrë po krijojnë mjegull ku nuk duhet të humbasë kompasi”.

Madje, ai këtë moment që është Kosova e ka shpjeguar me mitologjinë greke.

“Shpesh po e shoh jo vetëm PDK-në, por krejt forcat patriotike të Kosovës në rolin e Odiseut. Jemi afruar te Itaka, por siç dihet nga mitologjia, sa më shumë që i afrohesh Itakës duhet të kalosh në ngushticë ku shtohen sirenat, zërat e ëmbël dhe disa përbindësha që fluturojnë në qiell që mundohen t’ia humbin Odiseut drejtimin”.

“Në rolin e Odiseut po e shoh jo vetëm PDK-në, por edhe votuesin e Kosovës dhe forcat patriotike që nuk guxojnë ta humbin drejtimin deri në Itakë. Kërkohet guxim, sakrificë dhe ajo që është kryesorja: kërkohet largpamësi për Kosovën që duhet ta ketë një të ardhme”.