Migjen Kelmendi: Kur kërsiti lufta në Kosovë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk ikën (VIDEO)

E publikuar: 07/09/2019 23:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ikona kosovare e muzikës rock, Migjen Kelmendi, që së fundmi u bë pjesë e PDK-së ka treguar lidhjen e tij me UÇK-në.

“Në vitet e 90’ta lëvizja paqësore që e udhëhoqi Ibrahim Rugova pati sukses shumë të madh pasi e ktheu vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare te populli shqiptar në Kosovë. Na prezantoi si popull i civilizuar që me mjete të civilizuar kërkon të arrijë qëllimet e veta politike”.

“Për fat të keq ajo u zgjat dhe u vonua. Në një aspekt u fitua shumë dhe në një aspekt tjetër mbetem duke pritur. Në ndërkohë, administrata e dhunshme e Millosheviqit arriti ta përthithë lëvizjen paqësorë dhe ta shndërrojë në argument të vetin dhe ta përdorë kundër nesh”.

Kelmendi në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar për eksperiencën e tij si gazetar në kohën e luftës në Kosovë.

“Unë isha i emëruar nga qeveria në ekzil që të jem kryeredaktori dhe shefi i ekipit të gazetarëve të televizionit të Prishtinës që vepronin në Prishtinë, por edhe e shfaqnim programin në dy orët e famshme të TVSH-së”.

“I gjetur në asi konteksti, kur u shfaq UÇK-ja ai ishte lajm”.

Kelmendi, që njihet për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë, ka thënë se “kur kërsasin topat disa rrinë dhe disa ikin”.

“Kur kërsitën topat në Kosovë dhe kur u shfaq rreziku, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi nejtën dhe nuk ikën”.

“Kurse gati krejt gazetarët ikën – u tutën prej sfidës, ikën prej lajmit dhe detyrës me dhanë lajmin. Në një mënyrë, mbeta gati vetëm”.

“Unë e organizova një ekip sepse ishte gazetari Nuhi Bytyqi që më thoshte se ‘e kam një lidhje me ushtrinë andej’”.

Ai ka rrëfyer edhe për momentet kur i ka pranuar materialet e para pas kontaktit me UÇK-në.

“Nuhiu kërkonte kamerë dhe unë e angazhova kameramanin Abaz Zeka që u bë e mundur ta dërgojë në hapësirën e lirë ku u bë kontakti i parë me UÇK-në. Kur më kanë ardhë pamjet e para të ushtrisë ishte lajm, ishte diçka që të bënte të frikësoheshe”.

“U dëgjonin zëra që nuk ishin tonët dhe se duhet të ishin dorë e zgjatur e Serbisë dhe çka bëra unë? Atë material e montova dhe fillova ta shfaqë – njerëzit u shqetësuan dhe u frikësuan”.

“Ku është roli dhe rëndësia? Pse Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe të tjerët?”

“Sepse në ato momente kur Millosheviqi e kishte instaluar paqen e vet dhe e kishte ndërtuar atë shtet të frikës ku të gjithë ishin paluar, kjo vijë që u hap me UÇK-në ishte vija që e shembi shtetin e frikës, e shkërdheu paqen millosheviqiane dhe e krijoi kontekstin e konfliktit sepse në kontekstin e konfliktit dhe jo të paqes u bë e mundur intervenimi i Bashkësisë Ndërkombëtare”.