Miftaraj: Vendimi i Kurtit për zbritjen e pagave në Qeveri i kundërligjshëm

E publikuar: 13/02/2020 00:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, ka thënë se vendimi i kryeministrit Albin Kurti për zbritjen e pagave për kabinetin e tij qeveritar është i kundërligjshëm.

Sipas tij, përkundër që një vendim i tillë është i drejtë e legjitim, por nuk ka bazë ligjore.

“Qeveria Kurti është ngutur, dhe nuk e ka respektuar ligjin, nuk e ka respektuar procedurën që lidhet me vet faktin se me marrjen e këtij vendimi janë prekur poashtu edhe gjyqtarët dhe prokurorët. Është e vërtetë që në bazë të deklaratës pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të preken, por ne si institucion duhet të shohim vendimin me shkrim”, ka thënë Miftaraj.

A thotë se nuk ka logjikë juridike që një vendim i vitit 2017 përmes së cilit janë rritur pagat e prokurorëve dhe gjyqësorit aksidentalisht me një vendim për rritjen e pagës së kryeministrit dhe nëse i njëjti është shfuqizuar atëherë shtrohet pyetja se ku mbetet baza që prokurorët dhe gjyqtarët në mars të marrin pagën 2950 euro.

Ai shtoi se IKD-ja ka një historik të gjatë ndaj qeverive që në mënyrë ad-hoc marrin vendime që ndikojnë në pagat e gjyqtarëve. Sipas tij vendimet për uljen apo ngritjen e pagave duhet të rregullohen me ligj.

“Haradinaj kur e kishte marrë vendimin për ngritjen e pagave thotë: Paga i rritet kryeministrit kaq, e ministrave kaq, pra nuk përmenden askund gjyqtarët e prokurorët. Ata nuk e kanë pasur idenë se direkt u rriten pagat prokurorëve e gjyqtarëve. Gjyqtarët e Prokurorët nuk duhet të lejojnë që pagat e tyre të rregullohen me vendime të tilla të qeverisë, edhe kur pagat e tyre dyfishohen, sepse cenohen të drejtat e tyre”, ka thënë Miftaraj. “Me kritikën që i kemi bërë ish-qeverisë Haradinaj, ishte edhe kjo e sotme”.

Ai tutje ka shtuar se, “e kundërta është kjo me Kurtin, që është ndoshta edhe vendim shumë legjitim, i drejtë, por që s’ka bazë ligjore. Bazën ligjore nuk e ka me vet faktin se në mënyrë direkte apo indirekte preken pagat e gjyqtarëve. Në mars Gjykata Kushtetuese do të sjellë vendimin për Ligjin për Pagat dhe nëse ai vendim është që të hyjë në fuqi ky ligj, atëherë vendimi i Kurtit nuk ka asnjë vlerë juridike, pasi pagat rriten sërish. Kosova ka ndërtuar një kulturë, nga viti 2011-2018 dhe kjo duhet të ruhet”.

Miftaraj ka shtuar se Komisioni i Venecias, sa i përket pagës për prokurorët dhe gjyqtarët, është jashtëzakonisht i qartë se ato duhet të rregullohet vetëm me ligj.

“Paga duhet të jetë e dinjitetshme për gjyqtarët, duhet të përgjigjet përgjegjësisë që kanë. Kur ata kanë paga të dinjitetshme atëherë do të jenë më të pavarur. Edhe përkundër qëllimit shumë fisnik të Qeverisë Kurti, IKD-ja e ka monitoruar për së afërmi fushatën parazgjedhore të të gjitha partive politike. Nëse një parti politike e ka ngrit standardin se do të kemi shtet së drejtës është VV-ja, e LDK-ja mburret se kuadro. Nëse një parti vjen në pushtet me parimin se ligji është mbi të gjithë, çfarë pret nga këto parti është një respektim minimal të standardeve. Ky vendim mund të jetë i drejtë, mund të jetë fisnik, por nëse nuk respektohet procedura atëherë nuk ka emër tjetër pos që është vendim i kundërligjshëm”, u shpreh ai.

Miftaraj shton se pret nga Qeveria Kurti të mos merr vendime të ngutshme. Ai ka lavdëruar vendimin për shkarkimin e dy koordinatorëve.

“Çfarë presim ne nga Qeveria Kurti është që të mos merren vendime të ngutshme, kanë këshilltarë, kanë zyre ligjore dhe duhet të bëhen analiza të thukta dhe të mos vijnë në vendime të tilla. E kemi monitoruar mbledhjen e Qeverisë, pothuajse të gjitha vendimet e tjera përfshirë edhe shkarkimin e drejtorit të doganës. Vendimi për shkarkimin e koordinatorët është njëri ndër më të mirët. Kjo qeveri ka premtuar se do të ketë njerëz me duar të pastra dhe nëse një ministër i LDK-së i propozon një personi me aktakuzë për këshilltar. Shoqëria civile nuk është se ne jemi parti politike, ose reagimet që i bëjmë duhet të kenë mbështetjen e militantëve apo të partive politike dhe qëllimi ynë që të përmirësojmë sundimin e ligjit”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme do të kenë barrën kryesore në Qeverinë Kurti.

“Nga Ministrja Haxhiu presim jashtëzakonisht shumë, në bazë të asaj se çfarë ka promovuar ajo në Komisionin për Legjislacion ose si deputete. E mira është se ka informacion për këtë. Barrën kryesore në Qeverinë Kurti do të kenë Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme. Haxhiu ka premtuar një proces të shumëpritur të vetingut, që padyshim që kërkon angazhim, bashkëpunim me ndërkombëtarët, opozitën e shoqërinë civile”, ka thënë ai.

Sipas Miftaraj duhet të niset me procesin e vetingut dhe do të ishte sukses nëse ky proces do të kryhej brenda gjashtë vjetëve.

“IKD-ja ka kërkuar që procesi i vetingut duhet të niset me ndryshime kushtetuese. Pas amendamenteve kushtetuese nevojitet një ligj i veçantë. Por, çfarë duhet të ketë në vete ky ligj duhet të ketë rregullat e qarta se si duhet të kalohet ky proces. Çdo gjyqtar e prokuror duhet të kalojë përmes një filtri të integritetit personal e profesional. Për të pastruar njëherë e mirë sistemin e drejtësisë dhe nëse do të përfundonte brenda një afati prej 6 vitesh do të ishte shumë sukses”, ka thënë Miftaraj.