Midis patriotizmit dhe realitetit: Kosova nis ndeshjet e botërorit

E publikuar: 05/09/2016 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova për herë të parë në historinë e saj nis garën e kualifikimeve të Kampionatit Botëror, që në vitin 2018 mbahet në Rusi.

Që prej vendimit në muajin maj, të institucionit më të lartë ndërkombëtar të futbollit, FIFA, për ta pranuar Kosovën si të barabartë, vendi ka hyrë në fazën e ndeshjeve të para të drejtpërdrejta, i barabartë me të gjitha shtetet e tjera.

Ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikime në kampionat, Kosova e zhvillon me Finlandën, në kuadër të grupit ‘I’, ku bëjnë pjesë edhe Kroacia, Turqia, Islanda dhe Ukraina.

Ndeshja ka zgjuar interes në Kosovë, megjithëse shumë kundërthënie e kanë rrethuar përfaqësuesen e shtetit të ri, përfshirë edhe atë të kalimit të lojtarëve kosovarë që kanë luajtur në kombëtaret e tjera.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tha për Radion Evropa e Lirë nga Finlanda se përkundër vështirësive me listën e lojtarëve, përfaqësuesja është e gatshme për sfidat e botërorit.

“Kjo është një ndeshje shumë specifike, meqenëse është ndeshja e parë historike për një eliminatore – kampionat botëror. Ne jemi munduar, përkundër vështirësive, që kemi pasur me lojtarë, siç jeni të informuar edhe ju, mirëpo mendoj se janë tejkaluar ato vështirësi.”

“Ekipi është mjaft i mirë e kemi një atmosferë të shkëlqyer në mesin e lojtarëve. Nga ana profesionale, mendoj që ekipi jonë në ndeshjet miqësorë ka treguar një formë të mirë dhe mendoj se jemi të gatshëm për ketë sfidë që nuk do të jetë e lehtë”, tha Vokrri.

Përfaqësuesja e Kosovës, që ka luajtur disa ndeshje miqësore, qoftë ne Kosovë ose jashtë saj, megjithatë ka ngjallur ndjenja të ndryshme tek qytetarët e vendit. Të mësuar që të mbështesin kombëtaren shqiptare, ku një pjesë e lojtarëve nga Kosova vazhdojnë të luajnë, adhuruesit e futbollit në Kosovë janë gjendur tani ndërmjet dilemës së patriotizmit dhe realitetit.

Malsor Gjonbalaj, drejtor në Qendrën për edukim të trajnerëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se sportistët janë përkrahës të dyja ekipeve.

“Ato dy ekipe janë shqiptare. Që të dyja përfaqësojnë kombin shqiptar. Prandaj unë personalisht nuk di t’i ndajë. Ne jemi një dhe duhet të mbështesim të dyjat. Tani jetojmë në Kosovë, kemi edhe një ekip këtu të cilin duhet ta mbështesim dhe është pashmangshëm shumë e rëndësishme që të mbështesim ekipin e Kosovës. Poashtu t’i dëshirojmë sonte fitore Shqipërisë kundër Maqedonisë”, tha Gjonbalaj.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, nuk ka dashur të flasë për ndarjet ndërmjet përfaqësues kosovare dhe kombëtares shqiptare. Por, ai tha se Kosova është shtet dhe ka kombëtaren e saj.

“Kjo është temë e tejkaluar. Ne jemi sot dy shtete dhe ashtu veprojmë. Nuk kam ndonjë koment në këtë drejtim”, tha Vokrri.

Përfaqëesuesja e Kosovës vetëm pak orë përpara ndeshjes në Turku të Finalndës, ka kuptuar se 5 nga 6 lojtarët e saj, që kryesisht kanë mbrojtur ngjyrat kuq e zi të kombëtares shqiptare, mund të luajnë për Kosovën dhe pikërisht në debutimin e saj në skenën ndërkombëtare.

Midis patriotizmit dhe realitetit të dy shteteve, sot gjenden edhe vetë tifozët. Një pjesë e tyre do të shohin sonte ndeshjen e kombëtares shqiptare me Maqedoninë, sado që besohet se nuk do ta lënë anash as ndeshjen që në të njëtën kohë luhet në Finlandë, mes Kosovës dhe mikëpritësit finlandez.

Safet Ferati, adhurues i sportit, tha për Radion Evropa e Lirë se derisa nuk e ka pasur Kosova ekipin e vet për të luajtur në arenën ndërkombëtare, kanë përkrahur kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa tani, thotë ai, duhet të përkrahet ajo e Kosovës.

“Kombëtaren e kemi në zemër, veç tash [ Kosova ] e ka prioritetin më të madh, kështu unë mendoj personalisht. Kurse nga ky takim pres të paktën një barazim”, tha Ferati, duke shtuar se Federata e Futbollit të Kosovës duhet të punojë më shumë me të rinjtë e talentuar, në mënyrë që Kosova në garat ndërkombëtare të jetë sa më e fortë.

Edhe Leutrim Ramaj mendon ngjashëm.

“Shqipëria e ka vendin e vet, Kosova e ka të vetin”, tha ai.

Kurse, Gëzim Rrahmani thotë se ka vetëm një kombëtare.

“Unë vazhdoj ta kem vetëm një kombëtare atë të Shqipërisë”, tha Rrahmani.

Kur sonte të kenë nisur dy ndeshjet, njëra në Shkodër e tjetra në Finlandë, tifozët e Kosovës do ta kenë vështirë të zgjedhin: të bëjnë tifo për vendlindjen apo për flamurin kuq e zi.

Megjithatë, zërat e njohësve të futbollit i japin Kosovës një përparësi, marrë parasysh talentët e shumtë të futbollit, pjesa më e madhe e të cilëve mbajnë edhe dy kombëtare të tjera: të Shqipërisë e të Zvicrës.