Meta: Qeveria të mos bëjë sehir, pandemia po del nga kontrolli

E publikuar: 05/02/2021 20:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Ilir Meta ka komentuar shifrat në rritje të rasteve me koronavirus në Shqipëri. Sipas presidentit, pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.

“Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër. Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura. Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura”, shkruan Meta në Facebook.

“Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë. Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit. Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë”.

“Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19. Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës. Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme. Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID”.