Meta: Pres proces transparent për ngjarjet në Kumanovë

E publikuar: 20/11/2017 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportet mes vendeve fqinje janë ekzistenciale për perspektivat euroatlantike, si për Shqipërisë dhe Maqedonisë ka thënë presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, pas takimit që ka realizuar me homologun e tij maqedon, Gjorgje Ivanov.

Meta u falënderua edhe për njohjen e Kosovës nga Maqedonia, duke theksuar se Maqedonia nuk e ka pas të lehtë të marrë një vendim të tillë.

“Do të bëja një falënderim të veçantë për njohjen që Maqedonia i ka bërë Kosovës, që nuk ka qenë një vendim i lehtë, por ka qenë një vendim shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë rajonale”, ka thënë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Ndërkohë, në pyetjen e gazetarëve si e vlerëson qëndrimin e fundit të Qeverisë së Maqedonisë për shqyrtimin e vendimit për mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Meta tha se pret që Maqedonia të avancojë raportet me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë dhe Kosovën.

“Unë besoj se Qeveria e re e Maqedonisë, e cila është e përkushtuar për t’i dhënë një hov çështjes së integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO. Padyshim se është dhe do të jetë edhe më tej për të përmirësuar me të gjitha vendet fqinje përfshi edhe Kosovën”, tha Meta.

Presidenti shqiptar Ilir Meta theksoi se pret hetime dhe procese gjyqësore transparente, përfshirë këtu edhe për rastin gjyqësor për ngjarjet e Kumanovës.

“Nuk mund të ndërhyj në çështje konkrete që kanë të bëjnë me funksionimin e drejtësisë dhe ligjit në Maqedoni, por shpresoj, dëshiroj dhe inkurajoj që fazat e tjera të këtij procesi të gjykimit të jenë sa më transparente dhe sipas të gjitha standardeve evropiane. Shpresoj që edhe autoritetet e Maqedonisë, në mënyrë të veçantë ata gjyqësore, do të jenë të interesuara për të demonstruar standarde evropiane përderisa anëtarësimi në BE dhe NATO është një qëllim i përcaktuar i Maqedonisë”, tha Meta.

Nga ana tjetër, presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov tha se e çmon lartë mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat e aleancës veri-atlantike.

“Tani presim që Shqipëria ta ndihmojë Maqedoninë drejt NATO-së dhe ta ndihmojë në marrjen e ftesës për anëtarësim. Në lidhje me BE-në, tërë përvoja tonë ja vëmë në dispozicion gjatë këtij rrugëtimi”.

“Në lidhje me afrimin e popujve dhe bizneseve është i nevojshëm investim në koneksion mes dy vendeve, sepse shkëmbimin tregtar që i kemi nuk kënaq nevojat. Arsyetimi që e shprehin afaristët është mungesa e koneksionit, sidomos e lidhjes hekurudhore dhe qasja në portin e Durrësit. Folëm që të gjendet zgjidhje që të rritet lidhja mes dy vendeve”, theksoi Ivanov, duke shtuar se janë maqedonasit në Shqipëri dhe shqiptarët në Maqedoni, faktori kryesor që lidh interesat e dy vendeve fqinje.

Ivanov tha se për çështjen e Ligjit të gjuhës shqipe do të prononcohet pasi i njëjti të vij në presidencë.

“Me vëmendje të veçantë edhe unë po edhe kabineti im jemi duke e ndjekur debatin për ligjin në fjalë, debat ky që realizohet në Parlament. Ne kabinet na kanë ardhur një numër i madh i mendimeve të ekspertëve dhe nga ekspertëve publikë, kështu që kur ligji do të më adresohet mua atëherë edhe do të prononcohem. Theksoi se ligji duhet të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe interesat shtetërore”, tha presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Gjatë ditës presidenti i Shqipërisë ka vizituar dhe përmendoren e Nënës Terezë në qendër të Shkupit, ndërkohë që është takuar dhe me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Gjatë ditës së nesërme presidenti Meta do të qëndrojë në Manastir, ku do të vizitojë shtëpinë e kongresit të alfabetit shqiptar.