Meta: Nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje pa dekretin e presidentit

E publikuar: 11/06/2019 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ripërsëritur të martën se zgjedhje në Republikën e Shqipërisë “nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e presidentit”.

Këto komente presidenti i bëri gjatë një konference për media, ku shtoi se zgjedhje të lira dhe të ndershme do të mbahen vetëm ne momentin kur të krijohet klima politike për të bërë një gjë të tillë.

“Vendimi është marrë pas retorikave të dy palëve politike. Të dy palët e kishin shpallur 30 qershorin si ditën e betejës së tyre finale. Presidenti i Republikës siguron të gjithë qytetarët që zgjedhjet do të bëhen në një datë të mëvonshme, duke respektuar afatet. Presidenti u bën thirrje palëve që ta lexojnë bashkërisht Kushtetutën dhe të bien dakord për një datë të re ku do të marrin pjesë të gjithë. Presidenti është i gatshëm të marrë vendime të rëndësishme për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm”, shtoi presidenti Meta.

Ripërsëritja e qëndrimit të zotit Meta, pasi shfuqizoi dekretin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale që ishin caktuar më 30 qershor, erdhi pasi Partia Socialiste (PS) është në pushtet, ka depozituar në Kuvend projekt rezolutën të cilën do të kërkojë të miratojë në seancë plenare të enjten, për të debatuar mbi vendimin e presidentit dhe shkarkimin e tij.

Në rezolutë, PS i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji për organizimin e zgjedhjeve, që ta konsiderojnë si jo-ekzistent dekretin e presidentit Meta, me të cilin ai shfuqizoi dekretin e mëparshëm, ku 30 qershori caktohej si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore 2019.

Përmes saj, PS kërkon edhe mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar ndaj vendimit të presidentit Ilir Meta, për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore.

Meta ka deklaruar se me dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit ka bërë të mundur shmangien e konfliktit midis palëve, që do të nxitej nga faktorë të huaj dhe jo nga drejtuesit e palëve politike në Shqipëri.

Ai përmendi protestën e fundit të opozitës që u organizua më 8 qershor, si një ditë ku do të mund të provokohej destabilizimi i vendit.

“Në datën 8 qershor mund të provokohej një konflikt destabilizues. Vendimi im është marrë me përgjegjësi të plotë sepse në bazë të të gjitha të dhënave, jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të të dyja palëve, por për shkak të grupeve të caktuara jashtë edhe brenda vendit, 8 qershori mund të shfrytëzohej për akte që do të cenonin rendin publik dhe do t’i jepnin hapësirë palëve për të fajësuar njëra-tjetrën”, tha Meta.

Lidhur me vendimi e presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tha për Zërin e Amerikës se Departamenti i Shtetit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit. Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.

Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i njejtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë. Partitë e opozitës, tha zëdhënësi, duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale.

Vendimi i Ilir Metës vjen pasi vendi ndodhet në krizë të thellë politike. Partia Socialiste, e cila udhëheq vendin pa koalicion, me shumicë të ulëseve në Parlament synonte të shkojë e vetme në zgjedhje, ndërsa partitë opozitare dhe aleatët e tyre të djathtë kanë bojkotuar pjesëmarrjen dhe kanë thënë se do të pamundësojnë zgjedhjet.

Opozita, po ashtu, ka djegur mandatet e veta në Kuvend dhe po proteston që nga muaji shkurt dhe kërkon largimin e Qeverisë në krye me Edi Ramën. Ata kanë propozuar krijimin e një qeverie transitore e cila do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Vlefshmëria kushtetuese e vendimit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve nuk mund të interpretohet, meqë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut dhe vetëm dy kanë mbijetuar.