Meta: Gjykata e pastron Kosovën – ka akuza të rënda ndaj udhëheqësve të UÇK-së

E publikuar: 31/07/2015 20:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Intervistë me Kryetarin e Partisë Socialiste, Ilir Meta. Këtu, ndër të tjera ai flet për Gjykatën Speciale që pritet të formohet në Kosovë

Unë preferoj ta filloj këtë bisedë me një bilanc të shkurtër për atë se çfarë ishte për Kuvendin e Shqipërisë ky vit i drejtuar natyrisht nga ju? Cili ishte bilanci i Parlamentit sipas jush?

Mendoj se ishte një bilanc pozitiv në tërësi, pasi janë miratuar rreth 200 akte nga janari deri në seancën e fundit plenare të këtij sesioni, nga të cilat 93 ligje dhe shumë vendime apo rezoluta. Do ta konsideroja gjithashtu pozitiv për arsye sepse ky sesion që sapo përfunduam filloi me kthimin e opozitës në Parlament, e cila bojkotoi për një periudhë Kuvendin.

Së dyti, ishte një sesion ku pati mjaft debate dhe gjallëri edhe pse ndonjëherë me tepri dhe jashtë etikës, gjatw tw cilit opozita ka diskutuar më shumë se sa mazhoranca dhe ku koha e opozitës është më e madhe se koha e mazhorancës. Dhe jo vetëm kaq, por edhe një sesion ku u miratua dhe ngritja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, drejtimi i të cilës iu dha opozitës dhe që ne shpresojmë t’i ketë dhënë njëkohësisht edhe mundësinë për të kontribuar sa më pozitivisht në avancimin procesit të integrimit evropian.

Natyrisht që nuk mund të ishte një sesion i pandikuar nga klima elektorale e zgjedhjeve vendore, por ajo që dua të them është se janë miratuar disa ligje të rëndësishme, që në gjykimin tim, shpresoj që të sjellin ndikime pozitive, afatshkurtra, por dhe më afatgjata, për përmirësimin e situatës ekonomike dhe sociale në vend. Ligje që kanë të bëjnë me investimet strategjike, që kanë të bëjnë me funksionimin e zonave ekonomike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e turizmit që është një sektor për fat të keq ende shumë i prapambetur në vendin tonë, ndërkohë që potencialet janë të mëdha dhe të pashfrytëzuara si duhet. Ligjet që kanë të bëjnë me arsimin e lartë, siç ishte rasti më i fundit që natyrisht impaktet priten që të jenë më afatgjata, e kështu me radhë.

Ju i cilësuat pozitivë z. Meta bilancet e përgjithshme të Parlamentit. Megjithatë, e përmendët edhe ju, dhe nuk mund të anashkalohet fakti që disa muaj opozita nuk ishte në Parlament. Natyrisht ky është një element negativ i bilancit?

Pozitive ishte sepse kur i referohemi këtij sesioni, kemi parasysh që nga janari e deri në korrik dhe në raport me situatën e mëparshme të një bojkoti sistematik për një kohë të caktuar, ky ishte një kthim pozitiv, rikthimin i opozitës , pjesëmarrja e saj mjaft aktive në seancat e Parlamentit.

Sipas jush, realisht, si janë raportet dhe si kanë qenë raportet midis shumicës dhe opozitës në Parlamentin që ju drejtoni krahasuar me atë të dy viteve më parë. Ju keni lënë të kuptohet që keni dashur ose keni nxjerrë mësime nga ajo mënyrë, nga ajo bashkëjetesë, nga ajo klimë konfliktuale, por nuk është se ka munguar edhe kjo klimë?

Është për të ardhur keq që ende ka një konflikt të ekzagjeruar do të thosha unë, sepse debat padyshim do të ketë gjithmonë midis opozitës dhe qeverisë. Por, duket qartë që opozita ka më shumë hapësira se asnjëherë tjetër dhe po t’i referohemi edhe disa statistikave, kjo është mjaft evidente.

Thuhet se ju e bëni qëllimisht, me disa qëllime të caktuara….

Mendoj se e gjitha kjo është një legjendë për arsye sepse gjithë vullneti im si Kryetar i Kuvendit, është për të respektuar maksimalisht opozitën dhe çdo deputet. Ndërsa mënyrën se si opozita e shfrytëzon këtë hapësirë, kjo është një çështje e saj sepse nuk do të thotë, mendoj unë, që të flasësh sa më gjatë dhe të lësh një impakt sa më pozitiv.

Ju thoni duhet zbatuar ligji, duhet bërë shteti ligjor, duhen zbatuar rregullat etj, etj, dhe në Parlament shkelet Rregullorja. Mund të mos jetë e rëndësishme por….

Rregullorja është bërë për të mbrojtur të drejtat e opozitës më shumë. Prandaj edhe bëhet me konsensus. Së dyti, kemi tendencë nga ana e opozitës për të gjetur gjithnjë vend e pa vend, pretekste për t’u paraqitur si e persekutuar dhe për të gjetur mundësinë për të krijuar një tension artificial apo për t’iu larguar Parlamentit si institucion. Ajo që unë jam përpjekur të bëj dhe me një mirëkuptim deri diku maksimalisht do të thosha dhe nga ana e mazhorancës në tërësi, është që t’i krijojmë opozitës hapësirën maksimale për të shprehur qëndrimet e saj.

Premisat e një lloj konfliktualiteti që kanë ekzistuar dhe me sa duket do të ekzistojë në Shqipëri u pa dhe në ceremoninë e përurimit të kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Si e shikoni ju?

Ishte krejt absurde dhe bëra mirë që nuk shkova edhe unë sepse kisha një ide që të shkoja në këtë ceremoni si Kryetar i Kuvendit, por pata në axhendë takimin me Ministrin e Jashtëm të Bosnjës. Është një bashki si të thuash, gjysma e vendit, për të mos thënë që gjithë shqiptarët janë qytetarë të Tiranës në një mënyrë apo në një tjetër. Pra, është bashki tepër e rëndësishme dhe shumë më e rëndësishme se më përpara. Dhe jo vetëm kaq, por edhe duke pasur parasysh që është një bashki ku për herë të parë shumica e anëtarëve të këshillit bashkiak janë vajza dhe gra , ku kemi shumë të rinj si asnjëherë tjetër. Mendova të shkoja, por pastaj qëlloi kjo tjetra dhe thashë që më mirë që qëlloi kështu. Por ishte absolutisht absurde largimi i tyre sepse prefekti apo ministri janë përfaqësues legjitimë dhe ishte thjesht një sebep për të dëmtuar një ceremoni e cila i takon gjithë qytetit. Nuk është thjesht një ceremoni që i takon mazhorancës apo kryetarit të ri të bashkisë. Megjithatë, ne shpresojmë që të jetë një episod emocional dhe që në të ardhmen grupi i këshilltarëve, do të jetë bashkëpunues me kryetarin e ri të bashkisë.

Duke u kthyer tek bilanci i Parlamentit, nuk mund të anashkalojmë faktin se ky sesion parlamentar u shoqërua për njëfarë kohe nga ajo e ashtuqujtuara çështja Doshi”. Është një aferë që në fakt e bëri pis politikën shqiptare apo jo? Në distancë të disa muajve tashmë, mund t’i vëmë një përkufizim se çfarë ishte kjo çështje?

Kjo është një çështje që i takon drejtësisë dhe ndoshta i vetmi person në këtë vend që nuk ka lidhje me një çështje të tillë është Ilir Meta. Kështu që unë kam qenë dhe jam shumë i qetë , drejtësia të bëjë punën e saj.

Në komentet që kam parë në rrjetet sociale në përgjithësi, atë që gjykoj se ekziston në opinionin publik, ka bërë përshtypje dëshmitë që kanë dhënë personalitet e larta shtetërore, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit që jeni ju, Ministri i Brendshëm në prokurorinë e vendit, duke lënë të kuptohet, apo te perceptohet disa kontakte qoftë direkte apo indirekte me elementë të errët, të jetës në Shqipëri, të botës së krimit. Këto kritika ju si do i shikonit duke përmendur emrat të caktuar , duke përmendur situata që ndoshta një njeri normal mendon se përse njerëzit me pushtet në Shqipëri duhet që të merren dhe të binin në një regjistër të caktuar të diskursit, qoftë ehe në zyrat e prokurorisë?

Mendoj se kjo është një temë tjetër dhe nuk besoj se ia vlen të harxhojmë edhe një sekondë kohë, sepse kjo është një çështje që ka marrë jo pak kohë kur është prodhuar si një skup mediatik edhe politik. Kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë në raport me drejtësinë kam qenë gjithmonë tepër korrekt, tepër bashkëpunues, tepër i drejtpërdrjetë dhe jam shumë i kënaqur që nuk kam pasur mundësinë të takoj persona me të kaluar të errët, përveçse kur qëllon për shkak të detyrës.

Para disa ditësh, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e përvitshëm lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore në botë. E dimë të gjithë tashmë që Shqipëria vijon të mbetet, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, në listën e atyre vendeve me standarde të ulëta sa i takon luftës ndaj trafikut të qenieve njerëzore. Sipas mendimit tuaj, 25 vjet tashmë Shqipëria në demokraci, rreshtuar në anën e koalicionit të vendeve perëndimore, nuk po arrin të shkëputet nga ky qerthulli i trafikut të qenieve njerëzore.

Raporti është vlerësues dhe është kritik njëkohësisht. Pra është i balancuar. Kuptohet që ne jemi mësuar që njëra palë merr vetëm vlerësimet, pala tjetër thekson vetëm kritikat. Ky është një raport i vazhdueshëm, i përvitshëm dhe natyrisht që duhet parë si një raport nxitës, motivues për Shqipërinë për të bërë përpjekje edhe me të fuqishme në këtë drejtim. Natyrisht që Shqipëria është një vend gjithnjë nën presion përsa i takon trafiqeve, për disa arsye. Për arsye të pozicionit të saj strategjik, pra është një vend i lakmuar nga të gjitha grupet e trafikantëve , në radhë të parë të atyre më të mëdhenj ndërkombëtarë për ta përdorur Shqipërinë, ashtu sikurse edhe vende të tjera të rajonit. Së dyti, është një vendi i cili ende ka probleme të rëndësishme ekonomike dhe sociale. Kështu që këto gjithmonë përbëjnë një terren mjaft atraktiv për të përfshirë elementë të ndryshëm si bashkëpunëtorë të këtyre grupeve më të mëdha të trafiqeve ndërkombëtare. Natyrisht edhe institucionet ligjzbatuese kanë ende shumë punë për të bërë për të qenë shumë efikase.

Këtu është çështja sepse Shqipëria që është e lakmueshme ju e shpjeguat, por fakti është te Shqipëria?

Jam dakord, por të mos harrojmë se ka edhe vende të tjera që janë anëtare të BE­së, që janë anëtare të NATO­s që prej themelimit të saj, që janë vende që janë edhe në rajonin tonë të cilat kanë këto probleme dhe kanë këto shqetësime për shkak të pozicionit të tyre gjeografik dhe njëkohësisht edhe për shkak të problemeve të ndryshme sociale. Këto nuk duhet të shërbejnë si justifikim. Prandaj unë në deklaratën time menjëherë pas publikimit të atij raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit kam theksuar rëndësinë që ky raport i cili është raport i studiuar, është raport i thelluar, duhet të shërbejë si një platformë për të ngritur në një nivel shumë më të lartë se sa deri më tani luftën kundër gjithë këtyre llojeve të trafiqeve. Unë besoj se duke punuar në këtë mënyrë e duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara dhe me partnerët e tjerë, edhe si vend anëtar i NATO­s që jemi, sepse kjo është një luftë që ka të bëjë jo vetëm me standardet e zbatimit dhe të funksionimit të ligjit, por dhe të sigurisë kombëtare dhe rajonale dhe ndërkombëtare, unë besoj se kemi shumë çfarë të mësojmë nga ky raport dhe të përmirësojmë në punën tonë.

Në bazë të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ambasada Amerikane hodhi një hap edhe më tej. Bëri edhe disa shpjegime edhe më konkrete. Në kujtesën time si gazetar z. Meta, mbaj mend se kjo mund të jetë deklarata më e fortë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe fjala është për anëtarë të Parlamentit. Ju jeni kryetar i Parlamentit. Si ndiheni ju përballë një deklarate të tillë dhe një qëndrimi të tillë i thënë troç?

Besoj se shqetësimi apo theksimi i bërë nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës risjell në vëmendje rëndësinë për të ngritur në një nivel më të lartë standardet e garantimit të përfaqësimit publik të qytetarëve shqiptarë si në Parlament dhe përmes procesit të zgjedhjeve në tërësi, ashtu edhe përmes emërimit të funksionarëve publik. Në këtë drejtim, është e qartë dhe besoj se ka një dakordësi të gjerë që nuk mjafton më apo nuk duhet të mjaftojë më vetëm dëshmia e penalitetit për të qenë një kriter apo një standard për t’u zgjedhur apo për t’u emëruar në një funksion publik.

Kjo gjuhë lë të nënkuptohet sikur ka një lloj mosdëgjueshmërie nga ana e zyrtarëve të Shqipërisë si interlokutorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përderisa ata detyrohen që publikisht të trashin zërin në këtë mënyrë?

Unë besoj se jemi në një proces të cilin duhet ta mbështesim të gjithë në mënyrë parimore dhe ne mënyrë transparente për të garantuar standarde më të larta ligjore të përfaqësimit publik të qytetarëve shqiptarë, si përmes zgjedhjeve, si përmes emërimeve.

A janë mundësitë sipas jush, me mekanizmat ligjorë që disponon shteti, Parlamenti, që praktikisht duke filluar tashmë me sesionin e ri, të merren masa që elementë të caktuar të cilët dyshohen apo vërtetohet se kanë rekorde të tilla që nuk e meritojnë më të jenë përfaqësues të popullit të largohen nga skena politike, nga Parlamenti? A ekziston?

Patjetër që ekziston mundësia për të realizuar një proces të tillë dhe unë besoj se kjo gjë do të ndodhë.

Si mund të ndodhë?

Kjo gjë do të ndodhë besoj përmes komisionit të përbashkët , sepse ekziston një komision i përbashkët i cili nuk arriti ndoshta të gjejë konsensusin për të bërë dicka më të shpejtë në rastin e zgjedhjeve vendore, sepse për fat të keq, dekriminalizimi është kthyer edhe në një lojë politike. Por, unë besoj se ekziston gjithë koha në dispozicion që së shpejti ne të kemi një dakordësim dhe të kemi disa standarde shumë më të larta për të drejtën e kandidimit dhe të përzgjedhjes në poste publike apo dhe të emërimit që besoj se do të vijë pas këtij procesi bashkëpunues i cili ndoshta mund të shënojë rezultate më të shpejta.

Kryeministri ka paralajmëruar se në muajin Shtator do të ketë një nismë ligjore nga ana e shumicës. Do të jetë kjo një nismë sipas mendimit tuaj, që do të jetë e ndryshme apo pavarësisht se çfarë ka propozuar opozita deri tani, që në fakt e konsideron veten edhe si nismëtare të procesit të dekriminalizmit?

Mendoj se opozita duhet të jetë edhe më bashkëpunuese në këtë proces. Së dyti, opozita nuk duhet të përdorë standarde të dyfishta. Edhe ajo duhet të shikojë edhe nga vetja për të kontribuar në këtë proces. Ky duhet të jetë një proces i përbashkët. Kuptohet derisa kemi edhe një shqetësim jo vetëm të brendshëm, por kemi edhe një shqetësim të partnerëve ndërkombëtarë. Natyrisht që duhet të kemi disa standarde bazike në këtë drejtim të mbështetura edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që ky të jetë një hap i rëndësishëm, një hap që sjell një cilësi tjetër dhe një integritet shumë më të garantuar të përfaqësuesve publik në të gjitha nivelet.

Besoni ju vërtet se mund të pastrohet Parlamenti shqiptar nga ata që përfliten se janë jo pak deputetë me rekorde të dyshimta apo me rekorde të fshehura?

Unë besoj se kur ka vullnet të sinqertë politik, padyshim që çdo gjë mund të zgjidhet. E theksoj gjithnjë në mënyrë ligjore, madje do e theksoja dhe në mënyrë kushtetuese, që do të thotë edhe nëse duhet bërë një ndërhyrje në Kushtetutë, pra në rast se do të konsiderohet se ekzistojnë pengesa të karakterit kushtetues, askush nuk do të na pengonte me vullnet për të realizuar këtë proces dhe ne nga ana jonë do të përkrahim çdo iniciativë të qartë ligjore në këtë drejtim.

Do ju duhej padyshim edhe vullneti i opozitës?

Padyshim…

Basha më shumë se një herë, shpesh në fjalimet e tij përmend si kauzë të opozitës çështjen e dekriminalizimit të politikës. Ju thatë që opozita duhet të shikojë edhe nga vetja, por në fakt qëndrimi konstant është pak a shumë ky…

Dakord , unë nuk ndryshoj dot qëndrimet e opozitës. Unë po theksoje dhe njëherë që ne kemi hyrë në një proces. Në këtë proces na ndjekin me vëmendje qytetarët shqiptarë sepse në fund të fundit, në radhë të parë bëhet fjalë për përfaqësimin e tyre, për përfaqësimin e tyre në mënyrë sa më të denjë. Natyrisht na ndjekin dhe partnerët tanë ndërkombëtarë si një vend anëtar në NATO dhe si një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE. Të gjithë palët kemi firmosur një marrëveshje që të punojë sëbashku dhe unë besoj se koha që kemi përpara do të verifikojë vullnetin e të gjithë aktorëve dhe të gjithë palëve në këtë drejtim.

Meta, le të kalojmë tek kapitulli i zgjedhjeve. Tashmë kemi distancën e disa javëve, Mund ta lexojmë më mirë bilancin e këtyre zgjedhjeve. Në fakt për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sipas jush, si ishin këto zgjedhje?

Padyshim që këto ishin zgjedhjet më të qeta dhe më paqësore të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë. Dhe vetë dita e zgjedhjeve ishte demostrimi më i mirë i këtij standardi të lartë demokratik të zgjedhjeve dhe mbi të gjitha të kulturës demokratike të qytetarëve tanë kudo, në të gjithë vendin. Pothuajse asnjë lloj incidenti në ditën e zgjedhjeve. Natyrisht që ne kemi aftësinë për t’i thyer zgjedhjet vendore, zgjedhje politike, pavarësisht se unë kisha nënvizuar vazhdimisht me kohë që për ne këto janë thjesht zgjedhje vendore, janë zgjedhje në interes të komunitetit. Por dihet që ndërkohë ato u konsideruan edhe si referendum për të ndëshkuar apo për të rrëzuar qeverinë. Në këtë drejtim besoj se kjo retorikë e tepruar politike nuk i shërbeu si duhet daljes në pah më shumë të kandidatëve dhe të vetë problemeve të komunitetit. Pra u politizuan më shumë se sa duheshin zgjedhjet vendore. Por padyshim që ishin zgjedhje shumë të rëndësishme dhe historike sepse për herë të parë ne kemi tashmë në zbatim me kryetarët e rinj të bashkive, me këshillat e reja bashkiake reformën administrative territoriale që do të jetë një reformë besoj që do të funksionojë për disa dekada. Jo vetëm kaq, por për herë të parë në të gjithë këshillat e bashkive tona ne kemi një barazi të plotë gjinore, që është një arritje mjaft pozitive për shoqërinë tonë.

Pak ditë pas zgjedhjeve, z. Meta nga selia e partisë suaj ju bëtë një deklaratë lidhur me rezultatin. E keni bërë këtë lloj analize, e keni në proces, a i keni arsyet e mossuksesit?

Besoj se jemi në një proces i cili ka të bëjë me identifikimin e problematikës së zgjedhjeve të ecurisë së tyre, e kështu me radhë. Por natyrisht që analiza është tipar mjaft i rëndësishëm i çdo force politike serioze që kërkon vazhdimisht të përmirësohet, por natyrisht që rezultati i zgjedhjeve në përgjithësi është një rezultat mjaft pozitiv për “Aleancën për Shqipërinë Europiane” dhe natyrisht mjaft pozitiv edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, krahasuar me zgjedhjet e kaluara si vendore apo qoftë edhe parlamentare. Kështu që në këtë drejtim, çdo forcë politike bën një analizë për të përmirësuar më tej vetveten, por natyrisht që në këto zgjedhje mazhoranca nuk mund, madje dhe nuk duhet t’i fitonte të gjitha bashkitë. Nuk ishte mirë dhe nuk është mirë për demokracinë.

Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, në deklaratat publike ju keni dalë me qëndrimin që LSI­ja ishte luajale me partnerët në zgjedhje. Po partnerët a ishin luajalë me LSI­në sipas jush?

Tani pas kaq shumë javësh jemi më gjakftohtë dhe mund të japim një gjykim më të mirë… LSI­ja gjithnjë ka qenë dhe mbetet luajale në çdo marrëveshje që bën, me këdo që e bën. Kjo është një gjë padiskutueshme dhe është një vlerë shumë e rëndësishme për vetë LSI­në si forcë serioze, e cila di të bëjë marrëveshje, e cila di t’u qëndrojë marrëveshjeve, e cila nuk u ikën dhe nuk u dredhon marrëveshjeve dhe detyrimeve dhe me përgjegjësitë e saj gjithmonë.

Po partnerët?

Unë shpresoj se po, megjithatë mendoj që ky është një proces dhe gjej rastin të falënderoj strukturat e PS­së kudo ku ishin kandidatët e LSI­së për përkrahjen që u dhanë, sidomos dua të bëj një falënderim të veçantë për dy kryetarë bashkish, dy njerëz shumë të nderuar si z. Fadil Nasufi në Berat dhe z. Flamur Bime në Gjirokastër, të cilët ishin në krye të fushatës për kandidatët e koalicionit tonë edhe pse ata si të thuash duhet t’u linin vendin këtyre kandidatëve, duke treguar pjekuri, përgjegjshmëri dhe solidaritet të shkëlqyer.

Pra, jeni të kënaqur nga këto zgjedhje edhe pse disa nga bashkitë ku investuat më shumë nuk i fituat? Kam parasysh Lezhën në radhë të parë, Pogradecin që përmendëm, apo edhe Kukësin. Si e shikoni në këtë moment këtë rezultat?

U urojmë suksese kryetarëve të rinj të bashkive që janë zgjedhur në këto bashki për të mirën e komunitetit. Ka qenë një përpjekje për të bërë më shumë për Kukësin, për të bërë më shumë për Lezhën dhe për shumë zona të tilla të Shqipërisë. Natyrisht, fakti që janë zgjedhur kryebashkiakë demokratë nuk ka arsye pse të na pengojë, përkundrazi na motivon të vazhdojmë të punojmë për zgjidhjen e shumë problemeve qoftë edhe duke bashkëpunuar me ta, ku mendoj që hapja e aeroportit të Kukësit është mjaft e rëndësishme për popullin e Kukësit, edhe për qytetarët shqiptarë në tërësi, apo edhe vazhdimisht shumë investime në Lezhë dhe në shumë zona të tjera.

Në ç’kuptim e thatë hapja? Që do të hapej apo do të hapet?

Që do të hapet përsëri, është një objektiv hapja e këtij aeroporti pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në Kukës, sepse ky është interesi i të gjithë popullit të Kukësit dhe është interesi edhe i qeverisë shqiptare dhe i mazhorancës.

Në votat për këshillat bashkiakë shënuat një rritje më të madhe, nga 118 mijë në zgjedhjet e kaluara lokale në 260 mijë vota në zgjedhjet e këtij viti. Ju përmendni të rinjtë, por a është një numër i konsiderueshëm i elektoratit që rrjedh nga PD­ja apo jo vetëm sipas analizave tuaja?

Nuk është e rëndësishme nga vijnë votat dhe si vijnë votat, sepse zgjedhjet prandaj bëhen që qytetarët të përcaktojnë çdo katër vjet, përndryshe nuk do të kishte arsye pse duhen bërë zgjedhje, por e theksoj edhe një herë tjetër se rritja e LSI­së kryesisht vjen prej të rinjve dhe prej votuesve të rinj.

1. Meta, në opinionin publik përflitet sikur ka një ftohje të raporteve mes partive që qeverisë në Shqipërisë, PSsë dhe LSI­së. Sipas jush nga vijnë dhe pse bëhen të tilla hamendësime? Populli thotë: ku ka tym, ka zjarr… Ka apo nuk ka diçka të vërtetë?

Nuk shoh tym aspak, mendoj që zgjedhjet në përgjithësi kanë vajtur shumë mirë dhe e thashë edhe një herë tjetër, nuk mund të prisnim as ne e askush dhe nuk do të ishte mirë që të fitoheshin të 61 bashkitë. Sepse padyshim që do të ishte një pikëpyetje e madhe për të gjithë funksionimin e të gjithë sistemit tonë demokratik, kështu që në këto kushte mendoj që nuk ka një bazë reale për hamendësime të tilla.

Po çfarë e ka nxitur atëherë në hamendësimin popullor atë që perceptohet si ftohje në mes jush?

Nuk e di se çfarë quhet ngrohje dhe çfarë quhet ftohje në këto raporte. Unë jam i bindur që ne kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të jemi tepër korrekt dhe luajal në raportet tona me PS­në si forca kryesore e këtij koalicioni, por edhe me të gjithë forcat e tjera, sepse e theksoj korrektesa është baza e të gjithë suksesit e LSI­së. Korrektesa me partnerët në marrëveshje, korrektesa me anëtarët, me votuesit, me simpatizantët, me të gjithë.

Ka edhe një hamendësim tjetër, atë që në PD i mbajnë sytë hapur ende për një bashkëpunim të mundshëm në një kohë të caktuar në një zgjedhje të caktuar politike, nuk po flasim për zgjedhje strategjike, me LSI­në. Kur e dëgjoni këtë hamendësim, çfarë mendoni?

Në rast se unë personalisht apo në qoftë se ne si LSI do të ndikoheshim nga hamendësimet do të ishim gjithë kohën në stanjacion, kështu që ne jemi vazhdimisht në veprim, jemi në lëvizje, hamendësimet kanë punën e tyre. Ne kemi angazhimet tona, përgjegjësitë, detyrimet tona dhe në këtë drejtim ne bashkëpunimin me PD­në e shohim gjithnjë si bashkëpunim me forcën kryesore opozitare në vend në interesin e reformave. Kemi bërë përpjekje maksimale që ata të përfshihen në reformën administrative­territoriale, por ata qëndruan në mënyrë absurde do të thosha kokëfortë deri në fund, ndërkohë që ishte vetë interesi i tyre për të qenë të përfshirë dhe natyrisht që kemi mjaft të interesuar që ata të kontribuojnë në reformën në drejtësi sepse është një reformë madhore, kyçe për të ardhmen e vendit dhe kjo është e gjitha ajo që mund të hamendësohet.

U kalua një betejë elektorale që gjithsesi ishte e rëndësishme, ju madje e quajtët dhe historike…

Historike nuk quajta betejën, quaj momentin, pra të fillimit të zbatimit të reformës administrative­territoriale. Për fillimin e vitit 2017 është beteja e radhës elektorale, mund të jetë ende herët megjithatë, çdo lider politik, çdo forcë politike bën prognozat e veta. Deri më sot kemi dëgjuar që dy forcat që qeverisin kanë lënë të kuptohet se do të jenë përsëri bashkë në këto zgjedhje dhe projektojnë një tjetër fitore.

Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, qëndroni ende në këto pozita, mendoni se në 2017­n do të përsëri ky koalicion?

Besoj se përpara se të shkojmë në 2017­n mbeten edhe dy vite të rëndësishme ku duhet praktikisht të korret ajo që është mbjellë gjatë këtyre dy viteve përmes reformave të vështira, që do të thotë një progres më i madh ekonomik e social, një rritje më e madhe ekonomike dhe hapje e vendeve të reja të punës. Mendoj që kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër, sepse zgjedhjet nuk bëhen thjesht për zgjedhjet që vijnë. Mendoj që zgjedhjet janë gjithnjë një mundësi për të çuar vendin më përpara në mënyrë më të qëndrueshme dhe për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë sadisfaksionin për të qenë të kënaqur me zgjedhjen që ata kanë bërë.

A mund të thuhet se LSI­ja e ka të mbyllur kapitullin e bashkëpunimit me PD­në në kuptimin e koalicionit apo në politikë nuk mund të thuash kurrë, kurrë?

Nuk është aspak e rëndësishme për t’u marrë me hamendësime të tilla mendoj unë. Për ne është e rëndësishme që LSI­ja t’i shërbejë vendit, t’i shërbejë vendit në drejtim të qeverisjes, t’i shërbejë vendit si një forcë opozitare e përgjegjshme dhe konstruktive pra në çdo pozicion që qytetarët mendon që kjo forcë u shërben atyre. LSI­ja nuk është një forcë që duhet të jetë patjetër në pushtet dhe duhet të jetë patjetër një herë me njërën dhe një herë me tjetrën apo ku di unë. LSI është një forcë që është në funksion të interesit të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.

Kjo do të thotë se është e hapur për çdo konfiguracion politik…?

Do të thotë se interesi i qytetarëve do të prevalojë në vendimmarrjen e LSI­së.

Reforma në drejtësi është një çështje madhore në këtë moment në Shqipëri prej shumë kohësh, por sidomos në këtë moment. Sipas jush, realisht mendohet se do të preken edhe 40 ligje që të zbatohet ajo reformë që koalicioni, që forcat politike që qeverisin duan të zbatojnë praktikisht në Shqipëri. Por mendohet që të ndërhyhet deri në Kushtetutën e Shqipërisë. Cili është mendimi juaj? A është e mundur kjo dhe a ka ndonjë problem? Kam parasysh se ju dikur keni qenë kundër ndryshimeve dhe keni bërë edhe beteja politike dikur për të mos ndryshuar nene të caktuara të Kushtetutës, i referohem vitit 2008? Cili është qëndrimi?

Unë besoj se disa arsye të rëndësishme dobësie të një politizimi të institucioneve të pavarura, një pjesë e mirë natyrisht që janë institucioneve që kanë të bëjnë me drejtësinë, vjen për shkak të këtyre ndryshimeve të nxituara, të gabuara të prillit të vitit 2008 që iu bënë Kushtetutës brenda një nate. Pasi u humbën shumë ekuilibra, dhe u dëmtua parimi i kontrollit, i balancës së pushteteve dhe natyrisht që kjo ndikoi në rritjen e dozës së politizimit të shumë institucioneve të pavarura dhe pikërisht politizimi pastaj sjell edhe mungesë efektiviteti, sjell edhe dështim në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit, për forcimin zbatimit të ligjit në përgjithësi e kështu me radhë.

Meqë jemi te 2008­ta, z. Meta. Ju e keni përmendur edhe herë të tjera dhe në fakt të gjithë ata që predikojnë ato ndryshime që u bënë në vitin 2008, cilësojnë se ato u bënë brenda natës. Në fakt, ka pasur bisedime negociata disa mujore midis dy forcave politike, jo Lëvizjes Socialiste për Integrim atëherë, PD dhe PS. Nuk është bërë brenda natës në fakt. Atëherë a keni qenë ju në dijeni të këtyre negociatave dhe sot i cilësoni të tilla si brenda natës apo kanë qenë mbrapa…?

Besoj se i qëndroj atyre përcaktimeve që kam bërë në atë kohë dhe koha tregoi se ishin shumë të gabuara. Ishin ndryshime që u bënë të diktuara nga interesa të çastit, afatshkurtra politike të dy palëve. Nga pala e Partisë Demokratike për të forcuar rolin e z. Berisha si Kryeministër mbi institucionet e pavarura dhe për të dobësuar rolin e Presidentit që në atë kohë ishte z. Topi. Nga ana e Partisë Socialiste për të marrë një Kod Zgjedhor i cili mendoj që do t’i krijonte asaj avantazhe e kështu me radhë. Por padyshim që ato patën një ndikim negativ në të gjithë sistemin tonë kushtetues dhe padyshim në funksionimin e institucioneve të pavarura dhe natyrisht edhe në atë të funksionimit të institucioneve të drejtësisë.

Në propozimet që janë aktualisht në tryezë për reformën në drejtësi është edhe ai sipas të cilit Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë mund të mos jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të drejtësisë. Si ju duket juve si propozim?

Janë hedhur variante të ndryshme , gjithçka mbetet për t’u diskutuar. Nuk bëhet fjala për një strukturë të veçantë apo për disa kompetenca të veçanta apo për institucioneve të veçanta. Këtu bëhet fjalë për një reformë tërësore. Ky është qëllimi që do të garantojë që ky sistem të funksionojë, të jetë efiçent dhe të mos degradojë në thjesht ndryshim personash edhe lëvizje kompetencash sepse kjo nuk do t’i sillte askujt asnjë dobi dhe do të sillte një zhgënjim të madh në fund fare për qytetarët shqiptare dhe padyshim edhe për partnerët ndërkombëtarë.

Ka një ndjesi sikur në fakt shumica, pjesë e së cilës jeni edhe ju, një ndër hallet kryesore që ka me këtë reformë të drejtësisë është edhe fakti që Presidenti i Republikës perceptohet nga ana juaj, nga ana e shumicës sikur është në anën tjetër të barrikadës, sikur është në anën e opozitës, nga partia praktikisht nga e cila ai ka ardhur dhe ka bërë aktivitetin e tij politik. A e hidhni poshtë ju këtë? A është ky një nga qëllimet kryesore të kësaj reforme, pra shmangia e një lloj pengese që është hasur që prej dy vitesh tashmë nga Presidenti i Republikës?

Ndryshimi i Kushtetutës dhe dobësimi i rolit të Presidentit të Republikës dhe përmes mënyrës së zgjedhjes së tij në vitin 2008, e thashë edhe më parë, pati një efekt tërësor në të gjithë institucionet e pavarura. Natyrisht i krijoi mundësinë dhe Partisë Demokratike në vitin 2012 kur u zgjodh z. Nishani për të zgjedhur një figurë të kësaj force politike. Natyrisht z. Nishani mendoj qe e ndjen këtë detyrim ndaj Partisë Demokratike, por kjo nuk do të ishte absolutisht një arsye për të ndërtuar institucionin e Presidentit apo çdo institucion tjetër në Shqipëri, për të ardhmen në funksion të personave që janë apo që mund të jenë, sepse ky do të ishte një gabim i rëndë, do të ishte një deformim dhe natyrisht që kërkohet një model serioz dhe funksional për kushtet e Shqipërisë i një vendi të Bashkimit Europian.

Është thënë z. Meta se është krijuar një lloj korporate, solidariteti brenda sistemit të drejtësisë midis gjykatësve, prokurorëve, korporatë e cila praktikisht pengon ndëshkueshmërinë, pengon ndëshkimin e rasteve të gjyqtarëve, prokurorëve të cilët në sy të opinionit publik haptazi shkelin ligjin, haptazi interpretojnë në mënyrë të njëanshme ligjet e shtetit Shqiptar. Realisht, besoni ju se kjo reformë që po ndërmerret, këto hapa që po ndërmerren do ta çajnë këtë lloj muri që është krijuar?

Mendoj se ky duhet të jetë qëllimi, pasi situata me drejtësinë është për qytetarët në përditshmërinë e tyre, në zgjidhjen e problemeve të tyre, në mosndërshkueshmërinë e atyre që shkelin ligjin aq më tepër kur këta janë vetë brenda drejtësisë sepse është e qartë se në rast se nuk do të kemi një drejtësi me integritet atëherë është shumë e vështirë që kjo të arrijë rezultatet që duhen në luftën kundër krimit, kundër korrupsionit, në raport me sistemin politik dhe në raport me të gjithë sistemin dhe shoqërinë dhe natyrisht është shumë e rëndësishme që “korporata” aktuale të mos zëvendësohet nga një tjetër në mënyrë që të garantojmë një sistem vërtet transparent ku përgjegjshmëria dhe llogaridhënia janë në nivele maksimale dhe ku askush nuk është i pakontrollueshëm dhe nuk ka ekskluzivitetin e së vërtetës.

Në fakt ju e dini se publiku e ka humbur besimin se në Shqipëri mund të jepet drejtësia, ka humbur besimin se peshqit e mëdhenj bien në rrjetë, mendohet deri diku se peshqit e vegjël tek­tuk bien, por jo ata të mëdhenjtë.

Prandaj duhet të jemi të gjithë të angazhuar dhe të përqendruar tek kjo reformë për të rikthyer besimin tek drejtësia dhe drejtësia europiane funksionoi në rastin e ndeshjes Shqipëri­Serbi. Shpresojmë se do të jetë një ogur i mirë për drejtësinë në Shqipëri në të ardhmen përmes një reforme e cila vërtet kërkon të çimentojë shenjtërinë e ligjit në të gjithë sistemin tonë dhe kjo natyrisht në radhë të parë duhet të ndodhe brenda vetë sistemit të drejtësisë.

Le të hapim një kapitull me disa pyetje nga Shqipëria dhe rajoni, z. Meta. Së pari në Kosovë. Një nga çështjet kryesore të politikës aktuale të ditës në Kosovë është ngritja e Gjykatës Speciale natyrisht nën cytjen, nën ndikimin dhe nën vullnetin e faktorit ndërkombëtar që është aq prezent në Kosovë. Ky është një proces që dihet që ka kaluar me shumë vështirësi, dihet që nuk po kalon lehtë. Ju si besoni: Gjykata Speciale në Kosovë do të ngrihet? A ka ajo ndonjë ndikim për të cilin klasa politike, qoftë forcat politike në pushtet apo në opozitë do t’u duhej t’i druheshin ngritjes së kësaj Gjykate Speciale?

Mendoj se ngritja e saj natyrisht që krijon mundësinë për të pastruar imazhin e Kosovës nga shumë akuza të bëra edhe në institucione ndërkombëtare, por sigurisht që nuk mund të themi se është diçka pozitive po të kemi parasysh se lufta në Kosovë ka përfunduar prej 16 vitesh dhe kjo natyrisht që do të ishte vërtet një sfidë për të shikuar vetëm nga e ardhmja. Megjithatë është një proces i pashmangshëm dhe duke qenë një proces i tillë, është mjaft e rëndësishme që klasa politike kosovare të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë, edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Çfarë keni parasysh kur thoni se do të ishte diçka që nuk do të ishte pozitive? Në ç’kuptim nuk do të ishte pozitive?

Ne e dimë se mjaft akuza janë bërë për udhëheqës të Kosovës, të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Mjaft procese janë bërë dhe një pjesë e madhe e tyre kanë dalë të pafajshëm. Natyrisht që mbajtja gjallë e këtyre çështjeve nuk besoj se është diçka pozitive. Por duket që kjo është diçka e pashmangshme dhe në këto kushte është e rëndësishme që të bashkëpunohet me partnerët ndërkombëtarë për të ecur përpara drejt këtij procesi në mënyrë sa më dinjitoze.

A jeni i kënaqur ju Z. Meta me bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kam parasysh sidomos në planin ekonomik. Përtej deklaratave me tone patriotike, me tone të hapjes së çlirimit të barrierave, të kufijve që kanë ekzistuar mes dy anëve të kufirit në 25 vite?

Mendoj se kohët e fundit ka një progres të ndjeshëm dhe do të vlerësoja edhe angazhimin e dy qeverive, por sidomos angazhimin e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, i cili po jep një shembull të shkëlqyer të përqendrimit tek bashkëpunimi ekonomik, qoftë edhe për çështje të cilat mund të duken shumë të parëndësishme, por që ndihmojnë qoftë edhe një fshat të vetëm, qoftë edhe dy fshatra ndërkufitarë, si në rastin konkret. Ka një rritje të ndjeshme në vitin e fundit të volumit të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe besoj në një dinamikë gjithnjë e më pozitive.

Maqedonia është duke kaluar një moment gjithashtu delikat sidomos për shqiptarët, për politikanët shqiptarë kemi një lloj radikalizimi të luftës së tyre që supozohet të jetë një luftë e brendshme brenda klasës politike shqiptare. Në këtë vorbull, në këtë moment duket se është BDI­ja e kryesuar nga z. Ali Ahmeti. Ju si e shihni? Ju keni ndikim, keni lidhje me politikanët shqiptarë atje, keni qenë afër, shkëmbeni me ta? Si e shihni këtë moment politik, sidomos për pjesën e shqiptarëve të Maqedonisë?

Maqedonia ka një krizë të vazhdueshme dhe të përgjithshme, ka një stanjacion në raport me Bashkimin Europian prej shumë vitesh, është bllokuar procesi i anëtarësimit të saj në NATO, ka patur një parlament ku opozita ka bojkotuar për një kohë të gjatë. Të gjitha këto kanë sjellë një frustrim të përgjithshëm në shoqërinë maqedonase, sidomos për sa i takon shqiptarëve të Maqedonisë. Ajo që është e rëndësishme mendoj se mbetet që faktori shqiptar, partitë shqiptare të jenë më bashkëpunuese me njëra­tjetrën në mënyrë që të faktorizohen më shumë si faktorë shqiptarë, për të mbrojtur më mirë të drejtat e tyre, pasi dihet që faktori shqiptar është një faktor jetësor dhe mjaft vital për stabilitetin dhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë.

Përpjekja juaj dhe e Kryeministrit për ta unifikuar faktorin përpara disa muajve, faktorin shqiptar atje nuk rezultoi e suksesshme apo jo?

Ajo ishte një iniciativë e Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm ku dhe unë pata mundësinë të isha prezent për shkak të disa angazhimeve elektorale sepse ishte koha e zgjedhjeve në qarkun e Korçës, por përpjekjet për të kërkuar bashkëpunim mendoj se janë gjithmonë të rëndësishme dhe mesazhi i bashkëpunimit mbetet gjithmonë i rëndësishëm dhe ajo që duhet të bëjnë partitë shqiptare në Maqedoni është të bashkëpunojnë më shumë me njëratjetrën në të ardhmen.

Meta, jemi në kufi me një vend anëtar të Bashkimit Europian, me Greqinë, e cila gjithashtu gjendet në një moment shumë të vështirë financiar por natyrisht edhe politik. Çdo shqiptar i është interesuar të dijë sa më shumë se çfarë ndodh me Greqinë, çfarë ndodh me bashkatdhetarët atje edhe pse në këtë moment duket sikur ka shpresë se piku i krizës ka kaluar. Ju si e keni parë këtë zhvillim të krizës financiaro­politike në Greqi dhe çfarë parashikimi mund të bëni?

Unë e kam ndjekur me shqetësim të thelle dhe e ndjek vazhdimisht me shumë shqetësim situatën në Greqi. Dukej që qeveria e Kryeministrit Samaras po kalonte ato momentet më të këqija të Greqisë dhe vendi po shkonte drejt një rritjeje pozitive dhe kishte rifituar besimin e kreditorëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Ardhja në pushtet e Syrizas me premtimet e pambajtshme, një sfidë shumë e madhe për Greqinë dhe një problem i madh për të, por jo vetëm për të, për fat të mirë duket që ka një reflektim, ka një fleksibilitet nga ana e kryeministrit Tzipras, fleksibilitet që po të kishte ndodhur më parë ndoshta mund të kishte qenë më i favorshëm dhe për vetë Greqinë. Për ne është mjaft e rëndësishme që situata në Greqi të mos përkeqësohet, por të stabilizohet dhe të përmirësohet sepse është e lidhur drejtpërdrejt me ekonominë tonë, por padyshim edhe me njerëzit tanë, me emigrantët tanë që jetojnë atje. Ne kemi përfituar shumë nga Greqia që nga vitet ’90 deri në mes të viteve 2000 dhe emigrantët tanë atje, të ardhurat e tyre këtu apo investimet greke në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë të rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë dhe për ekonominë tonë dhe jemi dëmtuar shumë gjatë këtyre 7 viteve. Kështu që situata në Greqi ka një impakt të drejtpërdrejtë me situatën në Shqipëri dhe ne shpresojmë shumë dhe dëshirojmë shumë që kohët më të vështira të kenë mbetur pas.

Meta, Lëvizja Socialiste për Integrim një nga motot e saj kryesore politike dihet që ka integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Praktikisht ky proces, jo vetëm për shkak të Shqipërisë ndoshta, por edhe për shkak të konjukturës politike që është në Europë, integrimi duket ende si një ëndërr për shqiptarët. Praktikisht, Shqipëria do të duhej që të hapte negociatat politike, negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Por nuk ka shenja se është një gjë që mund të ndërmerret së shpejti apo jo?

Sidoqoftë Shqipëria ka Statusin e vendit kandidat dhe kjo është pozitive. Se kur do të ndodhë hapja e negociatave kjo është një çështje e diskutueshme. Sigurisht që ka të bëjë me përmbushjen e detyrimeve tona në kuadër të 5 prioriteteve ku qeveria shqiptare dhe institucionet tona në tërësi janë mjaft të fokusuar. Nuk mendoj se është shumë e rëndësishme nëse do të hapen sot apo pak më vonë negociatat, sepse ato mund të hapen sot, por të mbyllen në një kohë shumë të largët.

Megjithatë hapje është shenjë pozitive?

Patjetër, patjetër. Por nuk është kjo kryesorja mendoj. E rëndësishme është që Shqipëria të rrisë gjithnjë e më shumë kapacitetet e saj dhe në drejtim të negociatave, sepse negociatat nuk do të jenë shumë të thjeshta dhe të lehta dhe të vazhdojmë natyrisht procesin e reformave sepse këto i bëjmë në radhë të parë në interes të qytetarëve tanë. Arritja e madhe që është liberalizimi i vizave duhet mbrojtur me forcë sepse fenomeni i azil­kërkimit është një fenomen problematik dhe ende shqetësues e sfidues. Unë besoj se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë, Shqipëria është pjesë e Europës pavarësisht se nuk është anëtare e Bashkimit Europian. Kryesorja është të garantojmë një standard sa më të denjë social dhe ekonomik për qytetarët tanë. Mendoj se kjo është kryesorja.

*Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për emisionin “Kapital” të gazetarit Aleksandër Furxhi në televizionin “Vizion Plus”