Mësuesit e Shkollës “Faik Konica” në Prishtinë kërkojnë paga të njëjta me arsimtarët

E publikuar: 09/02/2019 12:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mësimdhënësit e ciklit klasor (klasa 1-5) të Shkollës Fillore e Mesme e Ulët “Faik Konica” në Prishtinë, të pakënaqur me koeficientin e pagave, që i diskriminon ata në krahasim me mësimdhënësit e ciklit të lartë (klasa 6-9), i kanë shkruar letër kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nga i cili kërkojnë që të barazohen me koeficient të gjithë mësimdhënësit e arsimit fillor të ulët të mesëm.

Në letrën e mësuesve të Shkollës “Faik Konica” thuhet se nëse kjo renditje e koeficienteve ka qenë e propozuar nga MASHT-i, SBASHK-u nuk është dashur që të pranojë, duke marrë parasysh se ne mësimdhënësit klasorë mbajmë deri në 9 lëndë të ndryshme për krahasim prej atyre lëndorë që kanë nga një lëndë.

Lexojeni të plotë letrën e mësuesve të “Faik Konicës”:

Për: Z. Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut- Prishtinë,

Lënda: Kërkesë

Nga: Kolektivi i shkollës “Faik Konica”

Data: 06 shkurt 2019

I nderuar z. Jasharaj,

Përmes kësaj shkrese kërkojmë që të diskutohet dhe të rishqyrtohet në strukturat udhëheqëse të SBASHK koeficienti për mësimdhënësit klasorë (1-5). Konsiderojmë që këtu është bërë padrejtësi për faktin që janë diferencuar koeficientët në mes të nivelit 1-5 dhe atij 6-9.

Arsyetimet se duhet të ketë dallim për shkak se në nivelin e shkollimit të mesëm të ulët kërkohet shkollim më i lartë, nuk qëndrojnë.

Shkollimi me gradë prej 240 ECTS është i obligueshëm për nivelin 1-5 dhe i mjaftueshëm për atë 6-9, ndërsa numri i orëve gjatë një jave është 21 për klasën e 3-të, 22 për klasën e      4-të dhe 5-të, ndërsa 20 për Shkollën e Mesme të Ulët, pra fond më i lartë i orëve është për mësimdhënësit klasorë (1-5).

Nëse kjo renditje e koeficienteve ka qenë e propozuar nga MASHT, ju nuk është dashur që të pranoni, pikërisht për arsyet e lartcekura dhe për shkak se edhe kompleksiteti i punës është më i madh në ciklin fillor, duke marrë parasysh se ne mësimdhënësit klasorë mbajmë deri në 9 lëndë të ndryshme për krahasim prej atyre lëndorë që kanë nga një lëndë.

Kërkesa jonë është që të gjeni mundësinë e barazimit të koeficientëve për nivelin 1-5 me atë 6-9. Jemi të vetdijshëm që zgjidhja nuk mund të bëhet lehtë, por duke ditur se ju e keni marrë vendimin ad hoc, pa u konsultuar me anëtarësinë as të ciklit fillor 1-5 dhe , as kolegët 6-9 që gjithashtu janë kundër këtij dallimi, ju takon juve barra që të gjeni rrugët e eleminimit të kësaj ndarjeje në koeficient që nuk ka ekzistuar deri më tani.

Duhet potencuar faktin se nga kjo grevë kemi dalë të zhgënjyer, menduam se të drejtat tona do t`i mbroni ju dhe nuk do të lejoni këtë lloj diskriminim që na u bë mësimdhënësve të nivelit fillor.

Besuam fort në deklaratat tuaja “Ose do të fitojmë të gjithë ose do të humbasim të gjithë”.

Mbesim me shpresën se kjo kërkesë do të shqyrtohet nga ana juaj, në të kundërtën ne nuk do të ndalemi duke kërkuar të drejtat tona legjitime. Nëse nuk mbrohen kërkesat tona nga ana e SBASHK, hapat tonë të ardhshëm ndoshta nuk do të jenë të favorshëm as për ne por as për ju.

Me respekt,

Cikli Fillor

ShFMU “Faik Konica” – Prishtinë

Ligji për pagat u miratua javën që shkoi, më 2 shkurt. Ndaj këtij ligji tashmë kanë shprehur pakënaqësi institucione të ndryshme .