Messi arriti 100 gola në Ligën e Kampionëve, këtë e bëri shumë më shpejt se Ronaldo

E publikuar: 15/03/2018 01:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lionel Messi e ka shënuar golin e 100-të në Ligën e Kampionëve në ndeshjen kundër Chelseat duke iu bashkuar të vetmit lojtar tjetër që e ka kaluar këtë shifër, Cristiano Ronaldo.

Argjentinasi shënoi golin e 99-të pa kaluar tri minuta në takimin e të mërkurës dhe ky ishte goli i tij më i shpejtë në karrierë, me klubin dhe përfaqësuesen.

Ndërsa në minutën e 63-të ia futi sërish topin nën këmbë portierit Thibaut Courtois dhe ky ishte goli i tij i 100-të në garën më të madhe evropiane për klube.

Messi dhe Ronaldo tash janë të vetmit lojtarë që kanë prekur shifrën prej 100 golash në Ligën e Kampionëve (portugezi i ka shënuar 117 gola në këtë garë deri më tani), ndërsa superylli i Barcelonës e ka arritur këtë shifër më shpejtë se rivali i tij te Real Madridit.

30-vjeçari ka shënuar 100 gola në 123 ndeshje (14 më pak se sa iu nevojitën Ronaldos për ta arritur këtë shifër). Messit i janë nevojitur 1.758 minuta më pak dhe 266 goditje më pak se CR7.

Sidoqoftë, pritet të shihet se a do të arrijë argjentinasi ta tejkalojë portugezin si golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve. Messi aktualisht numëron 100 gola, kurse Ronaldo 117.

Ndryshe, falë dy golave të sulmuesit kryesor dhe një të Ousmane Dembele, Barcelona e eliminoi Chelsean nga Liga e Kampionëve dhe u kualifikua në çerekfinale.

Real Madridi, Juventusi, Bayern Munichu, Manchester City, Liverpooli, Sevilla dhe Roma, janë klubet tjera që do të luajnë në çerekfinale të garës më të madhe evropiane për klube. /Telegrafi/