Mësoni trupin tuaj ta luftojë vetë diabetin

E publikuar: 08/03/2019 16:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pankreasi përmban tre lloje te qelizave, të cilat kontribuojnë në rregullimin e sasisë së sheqerit në gjak. Këto qeliza janë: qelizat alfa, të cilat prodhojnë glukagonin që rrit sasinë e sheqerit, qelizat beta që prodhojnë insulinën e cila zvogëlon sasinë e sheqerit në gjak dhe qelizat delta, të cilat prodhojnë sematostatinën, hormon ky që rregullon aktivitetin e qelizave alfa dhe beta.

Në të dy tipat e diabetit problemi qëndron në paaftësinë e qelizave beta për të prodhuar insulinën. Gjithsesi një studim i bërë në Universitetin e Bergenit në Norvegji, pretendon që me vetëm një ‘ shtytje’ të vogël ne do të jemi në gjendje ta trajnojmë organizmin tonë të prodhojë më shumë insulinë. Konkretisht këta studiues pohojnë se është i mundshëm konvertimi i qelizave alfa në qeliza beta, me ç ‘rast do të rritej sasia e insulinës.

“Qëllimi jonë është të krijojmë një mënyrë krejtësisht të re për trajtimin e diabetit”, tha autorja e këtij studimi Luiza Ghila.

Çdo qelizë zhvillohet në një mënyrë të veçantë, duke kryer funksion të veçantë, mirëpo jo gjithmonë një qelizë ka ‘identitetin’ e saj final. Disa prej tyre kanë tendencë të ndryshojnë funksion duke u përshtatur me funksionin e një qelize tjetër të dëmtuar. Këto qeliza të ashtuquajtura ‘adulte’ nuk janë të diferencuara përfundimisht prandaj kanë potencial ndryshimi ose transformimi në një qelizë tjetër. Ato ndryshojnë formë dhe përshtaten me qëllim të kompensimit të dëmtimit të një qelize të caktuar.

Si model studimi u përdor miu, në të cilin shkencëtarët panë se qelizat alfa i përgjigjen sinjaleve që i marrin nga qelizat fqinje, në rastin kur humb apo dëmtohet një qelizë beta. Duke aplikuar një mekanizëm të caktuar të ‘sinjalizimit’ të qelizave alfa, shkencëtarët arritën ta ngrinin nivelin e insulinës në 5 % më shumë. Edhe pse  mund të duket si një vlerë e vogël, gjithsesi është një hap shumë i rëndësishëm në këtë drejtim – shkruan LiveScience, raporton Gazeta Express.

Nëse arrijmë të marrim më shumë informacion për këtë proces, ne do të mund t’i kontrollojmë këta mekanizma duk shfrytëzuar potencialin e organizmit tonë për ta trajtuar vetë diabetin./GazetaExpress/