Mentor Shala: Përjashtimet për arsye të shkeljes së rregulloreve!

E publikuar: 26/03/2015 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i RTK-së, Mentor Shala tha se për shkeljen e rregullores disiplinore dhe rregulloreve tjera kanë qenë shkaqe për shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit të sindikatës së RTK-së.

Shala në emisionin “Debat” të KlanKosovës u përballë me deputetë të opozitës dhe pyetjet e tyre.

Duke folur rreth arsyes së shkarkimit të Fadil Hoxhës, kryetar i sindikatës së RTK-së, dhe redaktorit e zëvendësit të kësaj Sindikate, Arsim Halili, drejtori i RTK-së, Mentor Shala tha se nuk ka arsye që lidhen me veprimet e tyre brenda kësaj sindikate.

“Themelues i sindikatës në të cilën ka qenë zotëri Hoxha kryetar, kemi qenë unë dhe Mufaili. Kam qenë anëtar i sindikatës për pesë vjet me radhë dhe saktë e di se çdo me thënë sindikatë dhe cili është roli i saj…”.

““Veprimi sot që është bërë nuk ka pasur asnjë qëllim për veprimet sindikale. Është bërë për shkak të shkeljeve të rregulloreve disiplonore dhe rregulloreve tjera të RTK-së”, theksoi ai.

Rreth buxhetit dhe gjendjes, Shala tha se RTK është në borxhe ndërsa shtoi se në mungesë të hapësirave adekuate për zhvillim të detyrës, janë angazhuar që garazhet e veturave t’i bëjnë studio.

“Ne garazhet e veturave i kemi bërë studio. Kemi gjashtë studio të cilat normalisht na duhet t’i pajisim me kamera. Një kamera profesionale mesatarisht kushton 60 mijë euro”, tha ndër të tjera Shala.

Alma Lama, deputete e LDK-së, e ka akuzuar atë për mostransparencë të mbledhjeve të bordit të RTK-së.

“Bordi i RTK-së mban mbledhje pa asnjë transparencë. Ato duhet të ishin në ueb-faqe”, tha ajo.