Mentor Shala i shkruan Reporterëve pa Kufij: Ja cila është gjendja faktike në RTK

E publikuar: 08/04/2015 17:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i përgjithshëm i RTK’së, Mentor Shala përmes një letre dërguar ‘Reporterëve pa Kuafij’, u ka treguar atyre për gjendjen në mediumin publik të Kosovës.
Lexoni të plotë letrën e Mentor Shalës për Morillon:

E nderuara znj.Morillon,

Fillimisht ju përshëndes duke ju uruar punë të mbarë dhe suksese në punën tuaj në mbrojtjen e lirisë së mediave në tërë globin.

Duke qenë gazetar shumëvjeçar, jam shumë i vetëdijshëm për rolin dhe misionin tuaj në mbrojtje të gazetarëve dhe mediave nga format e ndryshme të diskriminimit qofshin ato politike, të dhunës, apo edhe forma tjera që rrezikojnë mediat në çfardo forme.

Ajo që më bëri t’ju shkruaj këtë letër sot është reagimi juaj ndaj largimit nga puna të dy punëtorëve të RTK-së, z.Fadil Hoxha dhe z.Arsim Halili.

E lexova me kujdes reagimin tuaj dhe më erdhi keq që nuk i kishit të gjitha informacionet e duhura në këtë rast.

Dhe nga ajo që pash në reagimin tuaj më detyrojë ta shtrojë dilemën ose pyetjen për ju nëse në këtë rast, po i mbroni gazetarët dhe mediat nga politika apo po e mbroni politikën nga mediat?!!!

Duke çmuar punën tuaj në mbrojtje të gazetarëve dhe mediave karshi politikës në bazë të asaj që e pash në reagimin tuaj, personalisht krijova përshtypjen e parë që në këtë rast keni mbrojtur politikën nga mediat. Kisha dashur ta kem gabim në këtë që thash!

Si gazetar që jam me profesion, për hir të informacionit të drejtë dhe paanshëm më duhet ta jap edhe mendimin e palës tjetër, që është parimi kryesor në gazetari, e që në reagimin tuaj nuk e pash.

Më lejoni që në pika të shkurtëra, në këndveshtrimin tim por edhe në përgjegjesinë time ligjore, t’ua sqarojë situatën:

Fadil Hoxha dhe Arsim Halili janë punëtorë të RTK-së, njëri gazetar-redaktor e tjetri staf administrativ, të cilët, konform ligjit të punës dhe rregulloreve të brendshme, kanë të nënshkruar kontratë pune me RTK-në, ku edhe I kanë të përshkruara të drejtat dhe obligimet e tyre ndaj institucionit ku punojnë. Kontratat e punës I kanë nënshkruar me vullnetin e tyre, pa pasur presion nga askush. Gjatë punës së tyre ata shpeshherë nuk I kanë përmbush obligimet që I kanë me kontratë të punës duke bërë shkelje të rregulloreve të brendshme të RTK-së. Madje z.Halili ka pasur edhe më herët vendim nga Komisioni Diciplinor I RTK-së për moskryereje të detyrave të punës dhe për mashtrim të instititucionit duke falsifikuar evidencën në punë, në kohën kur nuk ka qenë prezent në vendin e punës, duke rrezikuar kështu edicionet e lajmeve në të cilat ishte redaktor.

I punësuari Fadil Hoxha, ka pasur vërejtje nga eprori I tij më i lartë për moskryerje të detyrave të tij të punës. Ai jo vetëm që nuk është përmirësuar por edhe ka qenë jobashkëpunues dhe, për me shumë, arrogant ndaj eprorëve të tij vazhdimishit.

Është e vërtetë që të dy të punësuarit kanë qenë sindikalistë (njëri kryetar e tjetri nënkryetar), por në asnjë mënyrë nuk ka qenë kjo arsyeja pse ata janë larguar nga puna.

Të dy këta të punësuar vazhdimisht janë takuar me grupacione politike dhe së bashku me politikën vazhdimisht kanë bërë presion në mediumin publik. Këto takime ishin publike. Për më shumë, bëhet fjale për parti politike parlamenare të Kosovës, qeveritare e opozitare. Dëshmi për këtë do t’ua dërgojë edhe fotografitë dhe komunikatat për shtyp të përbashkëta që I kanë bërë me politikën, kundër mediumit publik.

Fadil Hoxha vazhdimisht ka folur publikisht për korrupcion në mediumin publik duke dhënë argumente të rrejshme në dëm të institucionit publik. Më duhet t’ju njoftojë se, lidhur me këto denoncime, personalisht, në rolin e Drejtori te Përgjithshëm, kam ftuar policinë dhe prokurorinë që të vijnë në RTK dhe të hetojnë dhe verifikojnë të gjitha pohimet publike që I ka bërë z.Hoxha kundër Drejtorit Gjeneral dhe menaxhmentit të RTK. Dhe, pas disa muaj hetime kam marrur informacione që policia ka konstatuar se nuk kanë gjetur asnjë argument për pohimet e z.Hoxha dhe disa media konkurrente të RTK-së. Pavarësisht se policia nuk ka gjetur asgjë të vërtetë në pohimet e z.Hoxha, ai sërish ka dalur publikisht me denoncimet e njëjta.

E nderuara znj. Morillon,

Ju lus të më tregoni, si profesioniste, a është në misionin e gazetarëve të thërrasin politikën për t’i shpëtuar në profesionin e tyre? Për t’i shpëtuar nga kush?!!!

A është në rregull që deputetët e partive politike, nga pozita e opozita, ose më konkretisht politikanët të bëhen guardian të gazetarëve?!

A është në rregull që gazetarët dhe punëtorët e një mediumi të bëhen instrument të politikës dhe të bashkërendojnë veprimet e tyre në dëm të mediumit, në këtë rast të transemtuesit publik?!

A është në rregull që politikanët të kërkojnë nga RTK kthimin në punë të atyre që nuk respektojnë rregulloret e brendshme dhe promovojnë mosdiciplinën në punë?!

Si profesionist, mendoj se nuk është në rregull! Madje konsideroj se kur politika fillon të mbrojë punëtorë të caktuar të mediumit, atëherë kemi të bëjmë me ndërhyrje flagrante politike në medium.

Më vjen keq që edhe protestuesit të cilën ju i keni potencuar në reagimin tuaj, janë të manipuluar politikisht, e që mua më vjen shumë keq si kolegë që i kam.

Sigurisht që jeni të informuar me situatën e përgjithshme në Kosovë, ku ka zhvillime mjaft të rëndësishme dhe të ndjeshme politike dhe ekonomike. Dhe kjo situatë po reflekton edhe te ne si medium publik. Politika është e vetëdijshme për fuqinë që e ka transmetuesi publik kosovar, prandaj edhe jemi vënë në shënjestër të pamëshirshme. Më duhet t’ju njoftoj me argumente që RTK është transmetuesi me profesional dhe me i fuqishëm në Republikën e Kosovës. Për këtë do t’ua bashkangjes edhe disa hulumtime të opinionit publik të bëra kohët e fundit. Dhe nëse nuk do të ishim profesionalisht në rregull, atëherë a mendoni se do të ishim kaq të fuqishëm dhe të kemi besimin e shumicës së audiencës në vendin tonë, ku nuk mund të mohohet ekzistimi i pluralizmit medial dhe konkurencës së fuqishmë mediale?

Personalisht mendoj që jo, sepse nuk do të mund të ishim të parët nëse do të ishim joprofesionalë. Gazetarët e RTK vazhdimisht marrin shpërblime për gazetari hulumtuese dhe storiet e tyre kundër korrupcionit e krimit të organizuar vazhdojnë të marrin mirënjohje jo vetëm brenda Kosovës por edhe jasht saj.

Vetëm brenda dy viteve ky menaxhment ka hapur edhe kanalin në gjuhën serbe dhe dy kanale tjera televizive vetëm e vetëm që gazetarëve t’u krijojë hapësirë për ta ushtruar profesionin e tyre në mënyrën më profesionale të mundshme dhe atë me buxhetin më të vogël të mundshëm.

Më lejoni t’ju njoftojë se kemi buxhetin më të vogël në botë nëse krahasohemi me transmetuesit tjerë publikë. Në pamundësi të kemi hapsira adekuate për studio, kemi shndërruar garazhat e veturave dhe depotë e vjetra në studio televizive, vetëm e vetëm për t’u krijuar gazetarëve hapësirë që të ushtrojnë profesionin e tyre.

Kemi arritur t’i bindim edhe kolegët tanë serbë të Kosovës që të punojmë së bashku në mes të Prishtinës duke thyer të gjitha paragjykimet se gazetarët dhe qytetarët serbë nuk mund të integrohen në shoqërinë kosovare.

Me lejoni të shtoj, se ende refuzoj të besoj se fushata kundër RTK, në të vërtët eshtë fushatë edhe kundër RTK2 dhe kultivimit të të drejtave dhe të tolerancës etnike në Kosovë , për çfarë besoj se jemi shembulli më i mirë i mundshëm.

Personalisht mendoj se deputetët e Kuvendit të Kosovës në vend se të merren me politika editoriale dhe organizimin e brendshëm të RTK-së duhet të gjejnë zgjidhjen e çështjes së financimit dhe të pronës që me ligj është punë kryekëput e tyre.

Edhe reagimi i fundit deputetëve të partive politike, të cilin edhe ju e keni përmendur në shkresën tuaj, ka të bëjë me këtë çështje. Moszgjidhja e çështjes së financimit dhe pronës po na shkakton telashe të mëdha, por që asnjëherë nuk e ka humbur vullnetin e stafit profesional të RTK-së që ta kryejnë punën në mënyrën më profesionale të mundshme.

RTK u ofron hapësirë të barabartë dhe pa tendencë secilës parti politike pavarësisht fuqisë së tyre politike dhe për këtë kemi dëshmi, të cilat do t’ia bashkangjes këtij reagimi. Kjo vetiu e konteston cilindo pohim eventual për censurë në RTK. Puna jonë është publike dhe nuk mund ta fshehim, pasi që çdo gjë që bëjmë e transmetojmë konform parimeve profesionale dhe etike.

Ju siguroj se personalisht do të inkurajojë secilin punëtorë të RTK-së ta ngris zërin për secilin shqetësim që e kanë qoftë ai profesional apo edhe i të drejtave të tyre në punë, por me argumente të bazuara dhe jo me tendenca politike. Unë vet kam qenë themelues i sindikatës së parë në RTK dhe e njoh jashtëzakonisht mirë rolin sindikal. Si nënkryetar i Sindikatës kam organizuar protestë të punëtorëve kundër draft ligjit diskriminues për RTK, që Qeveria atëkohë donte ta miratonte. Kam qenë edhe kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ku kam organizuar dy protesta të gazetarëve kundër Qeverisë në mbrojtje të lirisë së mediave, por asnjëherë nuk kam kërkuar që politika të bëhet gardian i gazetarëve.

Pa dashur të zgjatem më shumë në detaje të tjera, ne fund, unë ju ftoj juve që ta vizitoni RTK-në dhe të bindeni nga afër me zhvillimet faktike në këtë medium.

Duke ju përgëzuar për punën tuaj mjaft të rëndësishme në mbrojtjen e profesionit të gazetarisë nga të gjitha format e diskriminimit, ju falënderoj për mirëkuptimin!

Me respekt

Mentor Shala

Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së.