Mendimtari i lirë dhe Shqipëria e burgosur

E publikuar: 16/09/2017 10:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kur e lexoj librin e kujtimeve të Át Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, përpara më shfaqen dy Shqipëri: ajo e autorit dhe e vuajtjeve të rrëfyera, por që jetonte i lirë me mendimet e tij, ndonëse në burg e ndër tortura, dhe një Shqipëri e burgosur, në të cilën persekutoheshin dhe torturoheshin të gjithë njerëzit që e donin lirinë e njëmendtë.

Në vargun e madh të atyre që deshën dhe sakrifikuan për lirinë ishte Át Zefi shembullor dhe një varg klerikësh e laikësh të shkolluar, që atëbotë përbënin elitën më përparimtare të Shqipërisë, shkruan Ndue Ukaj në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Para dhjetë vjetësh i mbylli sytë Áti i mëshirshëm, personaliteti më unik i kulturës shqiptare. Ai e deshi Shqipërinë dhe lirinë e saj, por ajo i dha atij tmerre, vuajte të pafundme e çnjerëzore.

Përgjatë disa dekadave nëpër burgje e kampe llahtarie, ai përjetoi urrejtjen e egër të diktaturës enveriste, por gjithmonë predikoi se “dashnia nuk vendoset me dhunë.” Në këtë mënyrë ai sot është figurë shembullore, apo ndërgjegjja e Shqipërisë së lirë dhe kundërpesha hyjnore kundruall së keqes.

Para dhjetë vjetësh i mbylli sytë frati i uritur, ai që për të shpëtuar ndërgjegjen dhe lirinë e tij u bë mik me ujkun dhe nuk deshi të binte në duar të njerëzve që ishin më të këqij se bishat e maleve. Po, Át Zefi i fshehur në male, lidhi miqësi me ujkun, për të cilin u mërzit shumë kur e vranë, dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e skemave të tmerrit, që tentonin tjetërsimin e njeriut. Skena e miqësisë së tij me ujkun përbën njërin nga rrëfimet më të makthshme të librit të kujtimeve, “Rrno vetëm për me tregue.”