Memorandumi Haradinaj –Ahmeti – a po i vjen dita Behgjet Pacollit për “Prishtinën e Re”?

E publikuar: 03/07/2019 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti kanë nënshkruar të mërkurën memorandumin për Prishtinën e Re. Kjo ndër të tjera nënkupton edhe ndërtimin e objekteve për institucionet e vendit në Hajvali – temë kjo që ishte disktuar nga të gjithë qeveritarët gjatë një darke në shkurt të vitit të kaluar në Shtëpinë e Behgjet Pacollit. Tajkuni kosovar i ndërtimeve, që aktualusht është Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm, aty kishte kërkuar që ta marrë përsipër ndërtimin e objekteve shtetërore. A po i vjen Pacollit dita për ta fituar projektin jetësor në Kosovë që do të kushtojë miliona?

Teksa ka folur në konferencë për media, Haradinaj ka thënë se ideja për bartjen e institucioneve të vendit në Hajvali është diskutuar tash e 20 vjet dhe se tani po merr jetë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës më 13 prill 2018 tokën në afërsi të Hajvalisë ku do të ndërtohet Kompleksi i ri Qeveritar e ka shpallur Zonë me rëndësi të veçantë e kjo sipas tij është aprovuar më 25 qershor.

“Pra, jam autorizuar për nënshkrimin e Memorandumit me Kryetarin dhe sot, po e nënshkruajmë këtë memorandum. Kjo nënkupton se jemi palë në zbatimin e këtij projekti, projekt ky më i madhi infrastrukturor në tërësi dhe zhvillimor me interes për institucionet e vendit, për qytetarët, për kryeqytetin”, tha kryeministri Haradinaj.

“Prishtinën e Re” e ka përmendur edhe Shpend Ahmeti duke thënë e kalimi i administratës atje është diskutuar për një kohë të gjatë.

“Kemi arritë që pas disa muaj negociata, projekti i zgjerimit të “Prishtinës së Re” të bëhet në koordinim të plotë me Qeverinë e Kosovës. Çdo hap do ta bëjmë bashkë dhe çdo gjë do të jetë transparente”, ka thënë Ahmeti pa dhënë detaje tjera për atë që do të ndodhë atje.

Pavarësisht se Haradinaj e Ahmeti thanë se kjo kohë është diskutuar për një kohë të gjatë, kjo ide para rreth 1 viti e gjysmë ishte diskutuar rrastë gjatë një darke te Behgjet Pacolli. aty ishin të gjithë vendimmarrësit përfshirë Presidentin Hashim Thacin, Kryeministrin Ramush Haradinaj, Kadri Veselin e Fatmir Limajn.

Aty ishte çelur muhabeti që firma e tij Mabetex të ndërtojë objektet e reja të institucioneve të Kosovës.

Pal Lekaj, ministri i Haradinajt i cili kishte marrë pjesë në darkë, kishte konfirmuar se Pacolli kishte shfaqur gatishmëri për të ndërtuar, por nuk është vendosur që ai të jetë ndërtuesi.

“Pacolli ka shprehur gatishmërinë, që nëse ia lejojnë kushtet dhe ligjet e Kosovës – pse jo”, është shprehur Lekaj. “Që të jetë i barabartë me kompanitë e tjera”, ka thënë ai.

Të nesërmen e darkës, ideja e ndërtimit të institucioneve, ishte përmendur zyrtarisht nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një adresimi të pazakontë para Qeverisë së Kosovës.

Thaçi kishte thënë se vendi ka nevojë për objekte të reja, të cilat, siç u mor vesh, do të ndërtohet në zonën Prishtina e Re afër Hajvalisë.

Por, Thaçi nuk ka zbuluar më shumë.

Gazeta Express kishte kontaktuar me Ministrinë e Administratës Publike për të kuptuar më shumë. Zeqir Bekolli, zyrtar i Ministrisë së Administratës Publike, kishte thënë se madje është ndarë edhe parcela prej 20 hektarësh për ndërtimin e objekteve të reja. Por, mbetet të shihet nëse Pacolli do t’i plotësohet dëshira për t’i kryer këto ndërtime.