Memli Krasniqi: PDK më e dëmtuara nga ky proces zgjedhor – shpejtë i doli boja Vetëvendosjes

E publikuar: 12/11/2019 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të Vetëvendosjes e cila ka dalë hapur në mbrotje të votave që kanë ardhur nga Serbia pas mbylljes së procesit zgjedhor.

Memli Krasniqi nëpërmjet një reagimi në Facebook është shprehur kundër qasjes së Vetëvendosjes duke thënë se i ka dalë në mbrojtje votave të ardhura jashtëligjshëm nga Serbia, njofton Klan Kosova.

“Partia e Albin Kurtit sot zyrtarisht ka dalë në mbrojtje të votave të ardhura jashtëligjshëm nga Serbia, duke kërkuar nga Gjykata Supreme qe t’i lejojë në rezultat zgjedhor votat për Listën Serbe. Kujt ia ka marr mendja që partia që deklarohet poshtë e përpjetë që s’bënë koalicion me Listën Serbe, sot është bërë avokati i Listës Serbe, duke bërë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së që ka refuzuar votat e jashtligjshme të ardhura nga Serbia?”, ka shkruar ndër të tjera zyrtari i lartë i PDK-së.

Reagimi i plotë i Memli Krasniqit:

”Sa shpejtë i dul boja Vetvëndosjes! Partia e Albin Kurtit sot zyrtarisht ka dalë në mbrojtje të votave të ardhura jashtëligjshem nga Serbia, duke kërkuar nga Gjykata Supreme qe t’i lejojë në rezultat zgjedhor votat për Listën Serbe. Kujt ia ka marr mendja që partia që deklarohet poshtë e përpjetë që s’bën koalicion me Listën Serbe, sot është bërë avokati i Listës Serbe, duke bërë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së që ka refuzuar votat e jashtligjshme të ardhura nga Serbia? Më 29 tetor, Vetvëndosja me komunikatë zyrtare kërkonte anulimin e këtyre votave, duke i quajtur të jashtëligjshme, ndërsa sot më 12 nentor i mbron ato vota të Listës Serbe, sikur të ishin votat e veta. Çka është ky veprim, nëse jo uvertyrë e partneritetit të ardhshëm të partisë së Albinit me veglën e Vuçiqit? Qe gati një muaj Vetëvendosje është duke e vonuar finalizimin e procesit zgjedhor, duke bërë ankesa e presione të lloj-llojshme në institucionet përgjegjëse, vetëm duke kalkuluar në çfarëdo formë grabitjen e ndonjë mandati shtesë për vete. Sot, ndërsa, ata dolën krejt hapur në mbrojtje të të paligjshmes, dolën kundër deklarimeve të tyre të mëhershme, dolën në mbrojtje të manipulimeve me votat nga Serbia, të shtyrë vetëm e vetëm nga etja për pak më shumë pushtet. Si PDK, ne jemi dëmtuar më së shumti nga gabimet e këtij procesi zgjedhor! Për shkak të gabimeve në Formularin e Rezultateve, por edhe pas rinumërimit te rreth 850 kutive në QNR, në shumicën e tyre na është rritur numri i votave nga 1 deri në 203 vota për kuti, duke na u shtuar me mijëra vota në total. Përkundër fakteve konkrete të këtij dëmtimi, ka qenë Kryetari Veseli qe s’është pajtuar me kërkesën për ankimim të Shërbimit Juridik të PDK-së, me qëllimin e vetëm që të shpejtohet krijimi i institucioneve, ashtu siç ka qenë i qartë në këtë qëllim edhe natën e zgjedhjeve kur e pranoi rezultatin ende pa përfunduar mirë as numërimi preliminar. Por, vonesat që po i bën Vetëvendosje në vazhdimësi për përmbylljen e procesit zgjedhor, janë vetëm manipulime të vogla në vazhdën e manipulimeve e mashtrimeve të mëdha që do t’i nxjerrin të zhveshur nga çdo parim në javët dhe muajt që po vijnë. Sot, ata u bënë avokatë të Listës Serbe. Po nesër, avokatë të cilit djall do të bëhen?”