Mediumi francez përzgjedh Qëndron Kastratin një nga 13 “heronjtë” e vitit në Ballkan

E publikuar: 31/12/2019 16:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Portali frankofon për Ballkan, “Courrier des Balkans”, ka përzgjedhur kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati, si një nga 13 “heronjtë” e vitit 2019 në Ballkan.

Duke e cilësuar si “Kryetar të angazhuar për pajtim”, mediumi francez ka argumentuar përzgjedhjen e tij, me politikat e Kastratit në dobi të kohezionit qytetar dhe të gjithëpërfshirjes të të gjitha komuniteteve në qeverisjen lokale, si për nga aspekti ndëretnik, ashtu edhe për nga atë gjinor.

Emërimet e Bojan Stamenkoviqit për nënkryetar dhe Sinbad Sonkit për drejtor, si dhe përfaqësimi i barabartë gjinor në qeverisjen lokale, theksohen në profilin e Qëndron Kastratit të paraqitur nga “Courrier des Balkans”.

Reforma në arsim përmes riorganizimit të shkollave, kursi falas i gjuhës serbe dhe shqipe, si dhe iniciativa për ndërtimin e një shkolle të përbashkët janë po ashtu disa vendime të guximshme që e shquajnë kryetarin e Kamenicës dhe nënkryetarin e Partisë Socialdemokrate.

“Courrier des Balkans” ka nënvizuar po ashtu se Qëndron Kastrati është djali i Isa Kastratit, që ka kaluar njëmbëdhjetë vjet në burgjet e Serbisë, para se të vritej si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Qëndron Kastrati ka fituar së fundi edhe çmimin e Lëvizjes “Fol” për guxim qytetar për vitin 2019.

Portali frankofon për Ballkan ka përzgjedhur për këtë vit nga Shqipëria, Luljeta Bozo, profesoreshën e inxhienierisë së ndërtimit, për kontributin e saj në shpërfaqen e katrahurës së ndërtimeve pas tërmetit.

Vitin e kaluar, “Courrier des Balkans” kishte pëzrgjedhur Vasfije Krasniqin nga Kososa dhe studentët protestues nga Shqipëria.