Mediat serbe: Edhe një provokim nga Edi Rama, ai përsëri përmendi bashkimin!

E publikuar: 07/04/2015 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se vendi i tij dhe Kosova “do të bashkohen në mënyrën klasike” në qoftë se Bashkimi Evropian nuk hap rrugë për integrimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave, shkruajnë sot mediat serbe.

Sipas tyre, në një intervistë së bashku me zv.kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për televizionin Klan Kosova, Rama ka thënë se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë i ka dy mundësi dhe kjo varet prej BE-së, transmeton Telegrafi.

“I pari është bashkimi në Unionin Evropian, megjithatë nëse BE-ja vazhdon të mbyllë dyert për integrimin e Kosovës, atëherë të dy vendet do të jenë të detyruara të bashkohen në mënyrë klasike”, citohet të ketë thënë kryeministri shqiptar.

Mediat serbe gjithashtu shtojnë se “Rama tha se të dy vendet janë të angazhuara për bashkim përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Ndërkaq, lidhur me këtë, ato kanë cituar edhe deklaratën e zv. Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Thaçi ka thënë se fjalët e Ramës nuk janë kërcënim për BE-në, veçse bëhet fjalë për realitetit që mund të arrihet në të ardhmen dhe i cili mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës nga ana e BE-së”.

Ato gjithashtu kanë përmendur edhe deklaratën e kryeministrit shqiptar kur ka thënë se është një turp i BE-së mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë këtë lehtësim.

“Thaçi ka treguar se Kosova tanimë ka përmbushur obligimet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave”, përfundojnë mediat serbe. /Telegrafi/