Media: Zyrtarë të lartë të Phenianit vizitojnë Kinën

E publikuar: 27/03/2018 16:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një delegacion i nivelit të lartë i Koresë së Veriut njoftohet se ka bërë një vizitë të shkurtër në Pekin, duke “ushqyer” spekulimet për një takim mes udhëheqësit të vendit Kim Jong Un me zyrtarë kinezë.

Media njoftoi se një tren, me të cilin besohet se udhëtonte një delegacion i Koresë së Veriut, u largua nga Pekini të martën pasdite.

Në një raport të hënën, “Bloomberg News” përmendi tre burime të paidentifikuara sipas të cilave Kim Jong Un ndodhej në Kinë për një vizitë të panjoftuar. Sipas mediave të Koresë së Jugut delegacioni drejtohej nga motra e Kim-it dhe jo nga udhëheqësi i Phenianit.

Lidhur me njoftimet nuk pati asnjë deklaratë zyrtare. Mediat kineze si dhe ato të Koreasë së Veriut nuk e pasqyruan vizitën. Nëse konfirmohet, ky do të ishte udhëtimi i parë jashtë vendit i udhëheqësit të Phenianit që nga marrja e pushtetit në vitin 2011. Ajo do të shënonte gjithashtu një zhvillim të rëndësishëm diplomatik përpara një takimi të mundshëm mes Kim-it dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Pamjet e shfaqura në një nga televizionet japoneze tregonin një tren të gjelbër, të stilit të vjetër në një stacion në Pekin, të ngjashëm me atë që përdorte babai i Kimit, Kim Jong Il.