Me Shaqir Totajn kryetar​, PDK premton trefishim të buxhetit të Prizrenit

E publikuar: 15/11/2017 19:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forca e ndryshimit po tregohet si alternativë dhe garanci e vetme për Prizrenin dhe qytetarët e saj, dhe kjo është parë qysh në raundin e parë kur PDK doli forcë e parë në këtë komunë, u tha në fushatën përmbyllëse të PDK-së në Prizren, për garën e balotazhit më 19 nëntor.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se si rezultat i angazhimit të të gjithëve PDK-ja ka dalë si parti e parë në këtë komunë, gjë e cila pritet të konfirmohet edhe në garën e balotazhit.

Ai tha se Prizreni do të bëhet një qytet më i zhvilluar gjatë qeverisjes së ardhshme, pasi PDK ofron projekte, zhvillim, energji pozitive dhe të gjitha këto së bashku do të jenë të mjaftueshme për të ecur drejt fitores së radhës.

Lulzim Kabashi nga radhët e AAK-së, ka thënë se kjo parti ka vendosur ta mbështesë Shaqir Totajn, me qëllimin që Prizreni ka nevojë për një kryetar ndryshe dhe për zhvillim të ekonomisë.

Një fjalë rasti në fushatën përmbyllëse të PDK-së në Prizren mbajti edhe kreu i KDTP-së, ministri Mahir Jagcilar, i cili shprehu bindjen për fitoren e kandidatit të PDK-së dhe ftoi qytetarët e Prizrenit të votojnë për një komunë më të zhvilluar.

Ndërsa, Rasim Demiri nga Vakat, ka arsyetuar mbështetjen për Shaqir Totajn, pasi ai është personi më i duhur për ecjen përpara të komunës në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se PDK ka zgjedhur njeriun e duhur për t’i prirë komunës së Prizrenit në katër vjetët e ardhshme, për të bërë Prizrenin një qytet të zhvilluar ekonomikisht.

Ai tha se Prizreni ka nevojë për një lider të urtë dhe të aftë dhe PDK për këtë ka ofruar një udhëheqës që ka identitet të vetin dhe njeri të sukseseve siç është Shaqir Totaj