Me ICTSlab – Me hapa të sigurt drejt të ardhmes dixhitale

E publikuar: 25/11/2018 04:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

U bënë më shumë se dy muaj që nga dita kur ICTSlab hapi dyert për dhjetëra inovatorë të vegjël, numri i të cilëve sot është shumëfishuar me miq të rinj të teknologjisë. Disa erdhën me dëshirën për tu bërë programues, disa erdhën për të krijuar vetë lojërat që deri atëherë vetëm kishin mësuar ti luanin, ndërsa disa të tjerë erdhën për t’ju bashkuar miqve të tyre në realizimin e projekteve inovative.


Të gjithë bashkë, mbushën klasat e ICTSlab me energjinë, pozitivitetin, dëshirën për të mësuar dhe kreativitetin që vetëm fëmijët inovativ mund ta kenë. Për ta, ICTSlab është laboratori që transformon idetë e tyre në realitet.  Për ICTSlab, ata janë liderët e së ardhmes, të cilët të pajisur me aftësitë e domosdoshme të shekullit 21, do të mund të transformojnë realitetin në vendin e ëndrrave të tyre.

Nga dita në ditë, ne shohim se si përkushtimi në mësimdhënie me metodat më moderne dhe teknologjitë më të fundit, është përkthyer tek fëmijët në rritje të vetëbesimit, kreativitetit dhe aftësive problem-zgjidhëse nëpërmjet të menduarit kritik.


Gjatë kursit në ICTSlab, ata kanë arritur të zhvillojnë projekte në STEM duke u pajisur me aftësi të reja në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, të cilat nuk DUHET ti mësojnë thjesht sepse është pjesë e një programi, por DUAN ti mësojnë sepse, duke i përdorur në projekte të bazuara në situata reale, kuptojnë vlerën e atyre njohurive.

Gjatë progresit të fëmijëve, ne jemi krenarë tek shohim se si ata kanë marrë nën kontroll procesin e mësimnxënies. Ata kanë mësuar si të marrin përgjegjësi për të dëgjuar, pasi kanë kuptuar rëndësinë e mbledhjes së informacionit dhe të njohurive të reja. Më pas të gjithë janë vullnetarisht aktiv për të vënë në përdorim sa më shumë nga ato që mësuan.

Në orët mësimore të ICTSlab, “zhurma” është e gjithmonë normale dhe e mirëpritur, sepse fëmijët janë të gjithë të zënë duke hedhur ide, duke krijuar, planifikuar, eksperimentuar, pyetur dhe testuar aftësitë e tyre. Mbi të gjitha, ata janë gjithmonë të lumtur, sepse me nxënësit e ICTSlab, dështimi nuk është një alternativë, por një mënyrë për tu përmirësuar. Prandaj, kur nuk marrin rezultatin e duhur, ata kanë mësuar si të vlerësojnë dhe rikrijojnë punën e tyre.

Për më tepër, nëse keni menduar se shkencat kompjuterike ju përshtaten më shumë djemve, ICTSlab ka thyer rolet tradicionale me po aq vajza sa edhe djem. Vajzat janë po aq aktive duke shkëlqyer në klasat STEM me ide kreative, planifikim të projekteve dhe zhvillim të tyre.

Në grup dhe individualisht, fëmijët kanë krijuar projekte të suksesshme në STEM, nëpërmjet të cilave na kanë treguar se si dinë të shfrytëzojnë më së mirë teknologjinë, por edhe se si dinë të mbrojnë dhe shpjegojnë plot vetëbesim rezultatet.

Arritjet e deritanishme na tregojnë se të gjithë bashkë po ecim me hapa të sigurt drejt të ardhmes dixhitale. Nxënësit e ICTSlab, janë energjia që na nxit për të krijuar vazhdimisht mundësi të reja për ta dhe për të krijuar një mjedis të sigurt e inovativ, që do të mbaj zgjuar dëshirën e tyre për të mësuar. /ICTSlab