Me certifikatë të falsifikuar një operator ekonomik synoi të marrë tender në Policinë e Kosovës

E publikuar: 23/11/2019 08:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në hallkën e parë të zinxhirit të hetuesisë një kompani kosovare ka tentuar të fitojë tender me certifikatë, e cila dyshohet se është e falsifikuar. Tenderi “Furnizim me Pajisje Policore” i ndarë në disa lote (pjesë) i hapur muaj më parë nga Policia e Kosovës ende nuk është përmbyllur, shkruan sot Koha Ditore.

Një nga operatorët ekonomikë- Artius Group, që ka synuar të bëjë furnizimin me pajisje dyshohet që nuk ka certifikatë valide nga prodhuesi. Certifikimi nga prodhuesi ka qenë një nga kushtet e dosjes së tenderit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka diskualifikuar këtë kompani për shkak të pretendimeve që Policia e Kosovës ka paraqitur se kjo kompani ka falsifikuar një certifikatë të paraqitur në procesin tenderues nga kompania “Cytac” nga Kina.

OShP-ja, përmes vendimit që ka marrë ditë më parë, ka thënë se është vërtetuar mashtrimi nga ana e kësaj kompanie. “Operatori ekonomik ka paraqitur të dhëna të rreme, me ç ‘rast është vërtetuar se kompania prodhuese ‘Cytac’ nga Kina nuk e ka furnizuar kompaninë ‘Artius Group’ me artikullin e kërkuar nga Autoriteti Kontraktues”, thuhet në këtë vendim.

Përveç diskualifikimit nga ky tender e ka të ndaluar pjesëmarrjen në tender edhe për një kohë. “Të njëjtit operator ekonomik i ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik në Republikën e Kosovës që nga data 19.11.2019 deri me datën 18.05.20220”, thuhet në këtë vendim. Ky tender ishte hapur në vitin 2018.