Më 6 korrik mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm zgjedhor për pozitën e kryetarit të FFK-së

E publikuar: 17/06/2018 02:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se më 6 korrik 2018, në Prishtinë, do të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm zgjedhor për pozitën e kryetarit të FFK-së.

Pas vdekjes së kryetarit legjendar, Fadil Vokrri dhe pas mbështetjes dhe sugjerimeve të zyrtarëve më të lartë të FIFA-s dhe UEFA-s, për të mos lënë zbrazëti institucionale, Komiteti Ekzekutiv mori këtë vendim në bazë të kompetencave të veta të dala nga Statuti i FFK-së.

Më poshtë është njoftimi i plotë i FFK-së:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në mbledhjen e vet të mbajtur me datë 16 qershor, 2018, në bazë të nenit 31 p.1 të Statutit të FFK-së, mori këtë:

V E N D I M

Kuvendi i Jashtëzakonshëm zgjedhor për pozitën e kryetarit të FFK-së, do të mbahet me datë 6 korrik, 2018 (e premte) në Prishtinë, Hotel Emerald ora 17.00.

Obligohet Sekretari i Përgjithshëm që në bazë të nenit 31 p.5 të bëjë organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm zgjedhor konform Statutit të FFK-së.

A R S Y E T I M

Komiteti Ekzekutiv (KE), duke shqyrtuar gjendjen e jashtëzakonshme në futbollin Kosovar pas vdekjes së Kryetarit legjendar, Fadil Vokrri dhe pas mbështetjes dhe sugjerimeve të zyrtarëve më të lartë të FIFA-s dhe UEFA-s, për të mos lënë zbraztësirë institucionale mori këtë vendim në bazë të kompetencave të veta të dala nga Statuti i FFK-së.

Prishtinë, 16 qershor, 2018
Sekretari i Përgjithshëm
Eroll Salihu