Me 10 mijë euro dorëzani, lirohet prokurorja Badivuku

E publikuar: 26/11/2015 18:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Vahide Badivuku, është liruar nga paraburgimi pasi ka paguar dorëzani 10 mijë euro, ka njoftuar mbrojtja e saj.

Gjatë ditës ajo është paraqitur për herë të parë para trupit gjykues, prej kur i është ngritur aktakuza me ç’rast është deklaruar e pafajshme, transmeton Koha.net.

Ajo ka thënë se ndihet e fyer nga aktakuza që i është bërë. Bashkë më Badivukun, akuzohen edhe Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli. Vetëm ky i fundit e ka pranuar fajësinë. Badivuku është arrestuar më 23 gusht të këtij viti, nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

Më 17 nëntor, ndaj saj dhe dy personave të tjerë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për marrje ryshfeti, keqpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi.