Mbyllen bastet sportive, mbeten basti online

E publikuar: 12/10/2018 10:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë një ndryshim në ligjin aktual për Lojërat e Fatit që parashikon mbylljen e të gjitha pikave të basteve sportive që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, krahas mbylljes së dyqaneve të kazinove elektronike me përjashtim të kazinosë së vetme të licencuar aktualisht në Shqipëri si dhe Lotarisë Kombëtare.


Projektligji, i publikuar të Mërkurën në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave, parashikon shtimin e një neni në dispozitat kalimtare të ligjit gjerësisht të pazbatuar të vitit 2015, për të përfshirë në kategorinë e lojërave që mbyllen edhe bastet sportive.

“Organizatorët e kategorive “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë” do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018,” thuhet në shtesën ligjore të propozuar nga qeveria.


Ligji aktual parashikonte mbylljen e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale të licencuara para hyrjes në fuqi të ligjit me përjashtim të Kazinosë dhe Lotarisë Kombëtare, të cilat janë licencuar me ligje të veçanta.

Ligji parashikonte gjithashtu disiplinimin e basteve sportive përmes krijimit të distancave nga njëra pikë bastesh te tjera dhe nga pika e basteve te institucionet arsimore dhe fetare. Propozimi i ri i mbyll në tërësi pikat e basteve fizike, por nuk shprehet për bastet që vihen në distancë, përmes internetit. Në Shqipëri ka një kompani të licencuar nga qeveria aktuale për një aktivitet të tillë.

Me një lojë fjalësh, propozimi i Ramës duket se shpëton nga mbyllja aktivitetin e bingove televizive. Në pikën 2 të propozimit shkruhet: Në pikën 3, [të nenit 71 të ligjit” fjala “… të kategorive …” zëvendësohet me “…të kategorisë…”, ndërsa fjalët “…“Basteve sportive”…” dhe “…“Baste për garat në pistë”…” hiqen.

Pika tre e ligjit aktual shkruan: “Organizatorëve të kategorive Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2018”. Me ndryshimin e propozuar, kjo pikë bëhet: “Organizatorët të kategorisë “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji….”

Nëse ligji i propozuar nga Rama miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, ka gjasa që në tregun shqiptar të basteve do të mbesin një kazino, një lotari kombëtare, një bingo televizive dhe një kompani e licencuar për baste përmes internetit.

Qeveritë shqiptare të dy dekadave të fundit janë kritikuar shpesh si të kapura nga industria e basteve dhe e bixhozit dhe që kanë dështuar të rregullojnë këtë treg pavarësisht përpjekjeve të shumta.

Një ligj i vitit 2004 synonte licencimin e katër kazinove me kosto të lartë licencimi dhe mbylljen e dyqaneve të bixhozit me mjete elektronike, por mbeti gjerësisht i pazbatuar. Në vitin 2013, policia organizoi një operacion të gjerë kontrolli në mijëra pika bastesh për të kapur aktivitetin pa licencë të një pjese të madhe të pikave të basteve, operacion i njohur si “Fundi i Marrëzisë”.

Në vitin 2015, Ministria e Financave propozoi një ligj që synonte rrallimin e pikave të basteve në qytetet shqiptare përmes kriterit të distancës 200 metra larg njëra-tjetrës dhe shkollave e objekteve fetare si dhe kufizimit të numrit të pikave deri në 500 për çdo licencë.

Por propozimet e deputetëve të maxhorancës 24 orë para seancës plenare sollën dobësimin thelbësor të propozimit përmes uljes së taksimit dhe rritjes së pikave të basteve, plus uljes së distancës në 100 metra. Kapja e parlamentit nga industria e bixhozit u bë më e qartë në vitin 2016 kur një grup deputetësh të maxhorancës dhe opozitës propozuan shtyrjen e zbatimit të ligjit deri në vitin 2018. /Reporter