Mbrojtje falas për viktimat e dhunës seksuale

E publikuar: 27/12/2018 12:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jahjaga Foundation dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit, me të cilën të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i siguron mbrojtje falas.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se tash më viktimat nuk janë vetëm, pasi ato kanë pas vetes të gjithë.

“Po nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi, për ofrime të shërbimeve falas, për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në vitin 2014 me themelimin e këshillit kombëtar, u iniciua procesi për riintegrim, u bë e mundur njohja e tyre, u hap rruga për verifikimin e statusit të tyre, që ka filluar në shkurt të këtij viti. Kemi punuar për njohjen insticuionale, për luftimin e stigmës. Është e vërtetë që kemi shënuar arritje, të rëndesishme, por nuk kemi arritur t’iu ofrojmë drejtësi atyre”, tha ajo.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli u shpreh se kjo ditë është shumë e rëndësishme për ta. Duke shtuar se në këtë proces synojnë të përfshijnë më shumë avokate, e po ashtu si të tillë do t’i nënshtrohen disa trajnimeve.

Ai tha se oda do të bëjë identifikimin e avokatëve të cilët do të merren me këto raste, duke ruajtura kështu identitetin e tyre.

Ndërsa, Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, tha se mbrojtja ligjore tash më e mundur.

“Drejtësia i jep shërim këtij vendit. Ky vit ka qenë për viktimat e dhunës seksuale. Përfundimi i këtij viti me këtë nënshkrim, është vërtetë një ditë shumë prekëse për mu. Viti i ardhshëm shpresojmë që do të jetë vit i drejtësisë”, ka përfunduar ajo.