Mbrojtja thotë se gjykatësi Sali Berisha ra në grackë, mohon se ai mori ryshfet

E publikuar: 20/09/2019 20:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrojtja e gjyqtarit të suspenduar Sali Berisha, po pretendon se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka prova që do ta vërtetonte se ai ka kryer vepra penale të korrupsionit.

Në seancën dëgjimore që është mbajtur pasditen e së premtes, avokati Gëzim Kollqaku ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe armëmbajtjes pa leje, por jo edhe për marrje të ryshfetit,shkruan Lajmi.net.

“Nga shkresat e lëndës, ne i pranuam nga gjykata, i kemi parë që aty nuk ka asnjë provë më të voglën materiale për veprimet për të cilat dyshohet. Provat materiale krejt tregojnë ndryshe, tregojnë pafajësinë e të mbrojturit tim, dhe unë jam i bindur që i mbrojturi im në fund do të del i pafajshëm, ngase edhe unë siç e ceka tek gjyqtari i procedurës paraprake, asnjë veprim inkriminues që është cekur, nuk është cekur asnjë veprim inkriminues në dispozitivin e aktvendimit për fillimin e hetimeve”, ka thënë avokati Kollqaku.

Ai ka mohuar deklarimet zyrtarë të Policisë së Kosovës, se klienti i tij është zënë në flagrancë me dy mijë euro.

“Nuk është e vërtetë, ato policia mundet me fol, ika ato raporte e veta, por unë e di, jam konsultuar me të mbrojturin tim, unë e di se qysh kanë ardhur ato pare. Ka qenë një montazh prej një personi i cili e ka të kaluarën kriminale, i cili disa herë është dënuar për vepra penale të mashtrimit dhe ky i mbrojturi im vetëm ka ra grackën e mashtrimeve dhe dëshirës të ndonjë personi tjetër të caktuar”, ka thënë avokati Kollqaku, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Ai gjithashtu ka mohuar se gjyqtari Berisha t’i ketë marrë edhe katër mijë euro, sic thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Nuk i ka marrë, asnjë provë materiale. Kam kërku sot prej Prokurorit, nuk ka provë materiale se i ka marrë, ajo është vec një deklaratë e ndoshta e atij personit, e që unë se kam pa hala atë deklaratë. Nuk e di, krejt duhet me i besu Prokurorit, që merr aktvendim, se sa manipulimet bohen, ato janë jo zyrtare, zyrtare është vetëm ky aktvendim për fillim të hetimit”.

Seanca dëgjimore në këtë rast është mbajtur me dyer të mbyllura, pasi që gjykatësi Valon Kurtaj nuk ka lejuar praninë e mediave dhe monitoruesve në sallë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, të premten, e ka pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit.

Mbledhja e jashtëzakonshme e KGJK-së është thirrur një ditë pasi që është arrestuar gjykatësi Berisha, në të cilën është aprovuar kërkesa e Ushtruesit të Detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sami Sharaxhiu, për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Sali Berisha.

KGjK-ja në njoftim ka shprehur shqetësimin lidhur më këtë rast dhe njëkohësisht gatishmëri për përkrahjen e organeve gjegjëse të sistemit të drejtësisë në procedurat e mëtutjeshme.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar gjatë se premtes se të enjten e ka prangosur gjykatësin Berisha nën dyshimet për përfshirjen e tij në afera korruptive.

Në njoftimin e Policisë thuhet se përveç dyshimit për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ai dyshohet se ka kryer edhe veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacione nga viktima, që ka pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si dhe imazhin e sistemit gjyqësor. Gjatë procesit të hetimit preliminar janë ndërmarrë masat adekuate për të identifikuar formën e aplikuar më parë të korrupsionit nga i inkriminuari”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, në koordinim me Prokurorinë Speciale janë aplikuar praktikat e njohura nga Kodi i Procedurës Penale, duke u mbështetur fuqishëm në një hetim profesional të bazuar në dëshmi.

“Gjatë aplikimit të masave hetimore kemi siguruar dyshimin e bazuar se i inkriminuari ka kërkuar realizimin e ofertës, në atë mënyrë që i njëjti kërkon/pranon përfitimin material, (kohë më parë dyshohet se janë dorëzuar nga viktima dhe janë pranuar nga i dyshuari i lartshënuar katër mijë (4.000.00) euro), në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e gjyqtarit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se gjatë operacionit policor, të zhvilluar më 19 shtator 2019, i dyshuari ka kërkuar apo pranuar shumën prej dymijë eurove, për të përmbyllur ofertën e precizuar në proces për të finalizuar shumën prej gjashtëmijë eurove, në lidhje me lëndën penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë.

“Pas arrestimit i dyshuari është kontrolluar në prezencën e avokatit mbrojtës, në zyrën e NJRHKEK-së Pejë, me ç’rast i janë gjetur në xhep paratë dymijë (2.000.00) euro, të cilat janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë ‘simulim i veprës së korrupsionit’. Me aprovim verbal të prokurorit, është kontrolluar banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar: • një armë zjarri, tipi Zaza-min, kalibër: 8mm • një karikator dhe dhjetë (10) fishekë të kalibrit 8mm • dhjetëmijë euro (10.000.00) euro • shkresa, aktgjykime dhe proces verbale gjyqësore Me urdhër të prokurorit special, i dyshuari është ndaluar në qendër të mbajtjes për 48 orë”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.