Mbrojtja kërkon dënim maksimal për tre të akuzuarit për vrasjen e Aulon Zekës

E publikuar: 18/08/2018 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të panevojshme e cilëson avokati i Aulon Zekës vendimin e Gjykatës së Apelit që lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Një ditë më parë, Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e të miturve G.H., R.G. dhe L.Ll, raporton KTV.

Kjo me arsyetimin se kolegji i Apelit gjeti se aktgjykimi i gjykatës së instancës më të ulët ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Por, avokat i familjes Zeka thotë se këto shkelje procedurale do të mund të evitoheshin gjatë gjykimit të shkallës së parë.

Pasi që lënda do të kthehet në rigjykim, Skënder Musa, avokat i familjes Zeka thotë se familja do të kërkojë dënimin maksimal për tre të miturit, në veçanti për të miturën R.G.

Ndërsa babai i të ndjerit Aulon Zeka, Afrimi, përmes telefonit, i ka thënë KTV-së se ka vërejtje si është trajtuar lënda, pasi që në aktakuzë nuk janë përfshirë të gjitha çështjet sa i përket të miturës, por ajo është akuzuar vetëm për një pikë.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 9 vjet e 6 muaj burgim të miturin G.H. për veprat vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa të miturve G.H. dhe L.LL., Themelorja iu kishte shqiptuar masa edukativo-korrektuese dhe mbikëqyrje të shtuar.

Tre të miturit akuzohen se në shtator të vitit të kaluar e kishin vrarë 16-vjeçarin Aulon Zeka.