Mblidhen veteranët e Dukagjinit, paralajmërojnë veprime për listat e prokurorisë

E publikuar: 18/09/2018 18:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Veteranët e luftës së UÇK-së nga zona e Dukagjinit kanë mbajtur sot një takim të përbashkët pas publikimit të listave të veteranëve që Prokuroria Speciale ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione.
Përmes një njoftimi dërguar mediave, të njëjtit kanë paralajmëruar edhe veprime ndaj atyre që siç e quajnë ata, në mënyrë të sinkronizuar ndërmorën fushatë kundër luftës Çlirimtare.

Ky është njoftimi i plotë:

“OVL UÇK, degët e Dukagjinit, kanë mbajtur takim të përbashkët për të analizuar gjendjen e krijuar në vend pas publikimit të listave të Prokurorisë së Shtetit në media.

Duke konstatuar se me këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut dhe është shkelur dinjiteti i veteranit të luftës, degët Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog janë marë vesh për strategjinë e menaxhimit të situatës.

Të gjithë ata që në mënyrë të sinkronizuar ndërmorën fushatën e fundit kundër Luftës Çlirimtare, do të marrin përgjigjen e merituar.

Për veprimet e ardhshme Veteranët do të informohen me kohë, përmes zyrave të degëve të OVL të UÇK-së dhe mjeteve të informimit.

Kujtojmë se lajmi.net gjatë këtyre ditëve ka publikuar listën e veteranëve që sipas prokurorisë kanë përfituar pensione jashtëligjshëm.

Kjo ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion, pasi që në të njëjtat janë vërejtur edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së që pretendojnë se kanë dëshmi që kanë qenë deri në përfundim të luftës./Infosot/