Mbledhja e sotme e dy qeverive, forcim i kombit shqiptar

E publikuar: 23/03/2015 10:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbledhja e sotme ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, vlerësohet lartë ku pritet që të dy vendet të përfitojnë në shumë aspekte nga bashkimi i forcave në të dy anët e kufirit.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi i ka thënë Indeksonline se kjo mbledhje është shenjë e bashkëpunimit konkret me refleksione të bashkëpunimit në mes të shteteve dhe institucioneve tona në dobi të ekonomisë e integrimeve dhe sferave tjera me rëndësi për qytetarët.
“Patjetër se takimet dhe bashkëpunimi forcon kombin tonë dhe jep sinjale për bashkëpunim dhe integrime”, ka thënë Kuçi.

Në anën tjetër, Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, thotë se takimi i sotëm i dy qeverive padyshim që është i rëndësishëm, mirëpo ai e vlerëson të vonuar.

“Edhe takim i rëndësishëm, por njëkohësisht është edhe i vonshëm ose më mirë të themi i neglizhuar. Për më tepër, sipas agjendës, sot do të kemi vetëm tre marrëveshje të nënshkruara me disa memorandume përcjellëse. Pra, duam të them që ne, po mendoj qeveritë e të dyja vendeve, duhet me emergjencë të madhe ta tejkalojnë simbolizmën e takimeve në bashkëpunimin përmbajtjesor, i cili ka munguar dhe mungon ende”, ka thënë Zogaj.

Në Tiranë sot pritet të diskutohen marrëveshjet e firmosura mes Ministrive të Shëndetësisë, Arsimit, Kulturës, Ekonomisë, Bujqësisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Agjenda:

10:30 mbërritja e delegacionit të Kosovës në Tiranë.

10:45 nisja e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Pallatin e Kongreseve

12:20 konferenca e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave Rama-Mustafa

12:50 foto e përbashkët e dy kabineteve qeveritare./tribuna/