Mbi moralin e pushtetit dhe dhunën

E publikuar: 17/04/2015 00:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vend se të qeveris si duhet, pushteti po paralajmëron se protesta e opozitës mund të jetë e dhunshme. Për dhunën eventuale, përgjegjësia duhet t’iu adresohet shkaktarëve të saj. Përgjegjësi e pushtetit është që të mos e sjellë punën që të protestojë opozita
Pushtetarët tonë janë gjenialë. Njëri ka aftësi ta parashikojë se në protestën e paralajmëruar për të shtunën mund të ketë dhunë. Thotë se ka “indicie” për një gjë të tillë. Tjetri e ka zbuluar një SHIK brenda një partie opozitare. Çfarë aftësie!

Në vend se të qeverisin mirë dhe t’i përmbushin premtimet e dhëna qytetarëve, Isa Mustafa e Hashim Thaçi kanë provuar ditët e fundit që, në njëfarë forme, të shantazhojnë protestën e opozitës.

I pari, idhnak çfarë është, ka zgjedhur që SHIK’un me njerëz të të cilit bashkëqeveris ta zbulojë tek Vetëvendosja, kurse i dyti ka përmendur mundësinë e shpërthimit të dhunës në protestë. Përderisa opozita po paralajmëron se protesta do të jetë paqësore, dhunën po e përmend pushteti. Pushteti dhe pushtetarët që janë përgjegjës për gjendjen e krijuar, në vend se të gjejnë zgjidhje, parashikojnë rrjedhën e protestës. Pushteti dhe pushtetarët janë përgjegjës për krijimin e kushteve të sigurisë, në mënyrë që të protestohet lirshëm. Ata nuk janë aty për deklarata kërcënuese.

Të protestohet është reagimi qytetar më normal që mund të ndodhë në Kosovë. Secili duhet të protestojë ndaj një mijë problemeve, për të cilat pushteti i kaluar dhe ai i tashmi është dashur të gjejnë zgjidhje. Të paralajmërosh protestë nuk don të thotë se ata që marrin pjesë në të do të jenë të dhunshëm.

Kërkesat me të cilat do të protestohet të shtunën nuk janë të reja e as të padëgjuara. Vetëm se opozita ka zgjedhur t’i artikulojë tash, ndonëse ka mundur që një gjë të tillë ta bëjë qysh në protestat masive të janarit. Mund të mos pajtohemi me ato kërkesa, mund edhe të mos marrim pjesë në protestë, por nuk mund të paragjykojmë se do të shpërthejë dhunë dhe nuk mund ta vëmë në dyshim të drejtën e kërkujt për të shprehur pakënaqësinë në rrugë. Por, po ashtu, nuk mund të tumirim assesi veprimet e dhunshme që mund të ndodhin.

* * *

E dobët numerikisht në Kuvend dhe e pazonja që të arrijë më shumë brenda institucioneve, opozita ka zgjedhur rrugën. Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe që të protestohet, por e rëndësishme është që të mos ketë dhunë.

Me shkarkimin e Aeksandar Jablanovicit është krijuar një presedan dhe opozita mund të pretendojë se, në mënyrë të ngjashme, mund të shkarkohet edhe Hajredin Kuçi dhe të japë dorëheqje Enver Hasani. Por, ekziston një hendikep “i vogël” në këtë mes: as Kuçi e as Hasani nuk janë serbë dhe nuk është e lehtë që të mblidhen mijëra qytetarë, si në janar, për të kërkuar ikjen e tyre.

Problematike për opozitën mund të jetë “menyja” e gjatë e arsyeve për të cilat protestohet, që nënkupton shpërqendrim të fokusit të protestës. Sepse, me këtë logjikë, lista do të mund t’i kishte aq kërkesa sa kanë probleme kosovarët.

Opozita ka të drejtë dhe bën mirë që proteston, por duhet ta ketë parasysh se rezultatet nuk mund të arrihen si në rastin e Jablanovicit. Opozita duhet të jetë e përgatitur që protestat të vazhdojnë dhe të mos presë rezultate të shpejta. Aq më pak kur nuk është shfrytëzuar si duhet situata e krijuar në fund të janarit. Nëse opozitës i ngutet dhe pret efektet me një a dy protesta, atëherë është më mirë që të mos ia fillojë hiç këtij muhabeti.

* * *

Isa Mustafa asnjëherë nuk ka dhënë shpjegime se si ndodhi që, pavarësisht zotimeve se kurrë nuk do të qeverisë me ta, tash të jetë në pushtet me njerëz të SHIK’ut. Përkundrazi, ai tash po provon të zbulojë “shiqe” të tjera në mesin e kundërshtarëve politikë.

Mustafa nuk ka dhënë përgjigje në asnjë nga dilemat e ngrituar për moralin politik dhe premtimet e tij kur bëhet fjalë për raportet me PDK’në, andaj është e pamoralshme që të akuzojë dikë tjetër për jomoralitet.

Mustafa nuk ka dhënë përgjigje bindëse për mundësinë e realizimit të asnjërit premtim të fushatës zgjedhore, andaj është e pamoralshme që të shesë tash moral.

Në vend të kësaj, ai dhe zëvendësi i tij do të duhej të tregoheshin të përgjegjshëm dhe seriozë në realizimin e zotimeve që kanë bërë.

Në vend të kësaj, Mustafa do të duhej ta adresonte saktë pjesën e përgjegjësisë që i takon zëvendësit të tij gjatë gjithë viteve në krye të Qeverisë.

Në vend të kësaj, ai dhe zëvendësi i tij do të duhej të tregonin se çfarë do të veprojnë konkretisht, në mënyrë që Kosova të mos vazhdojë të mbetet vrima e zezë e Europës.

Nuk është punë e pushtetit që të parashikojë çfarë mund të ndodhë në protestën e opozitës. Përgjegjësi e pushtetit është që të mos e sjellë punën që të organizojë protesta opozita. /express/