Mbi 615 milionë euro vetëm për paga në sektorin publik

E publikuar: 05/02/2019 12:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndarja e buxhetit për vitin 2019 po shihet si problematike, për shkak se rreth 60 për qind e saj do të shpenzohet në paga të sektorit publik dhe në skema pensionale. Kësisoj vetëm 40 për qind e buxhetit do të mbetet për investime dhe për zhvillim të vendit. Për deputetët në opozitë shqetësuese ka mbetur edhe vendimi për pagesën që do t’u bëhet zëvendësministrave edhe pasi t’u përfundojë mandati, shkruan Gazeta “Zëri”. 

Zyrtari për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini, ka treguar për “Zërin” se si është bërë shpërndarja e buxhetit të Kosovës për vitin 2019. Sipas tij, për paga dhe për mëditje janë ndarë 615 milionë e 770 mijë e 952 euro.

“Ministria e Financave e ka pasur parasysh Ligjin për Pagat, në të cilin ka kohë që është duke u punuar dhe për ndryshimet, të cilat kanë mundur të ndodhin. Për këtë arsye brenda buxhetit të vitit 2019 është akomoduar e tërë shuma që kërkohet për fillim të  implementimit të ligjit këtë vit, përveç shumës së rregullt për paga dhe për mëditje në buxhet është paraparë edhe një shumë tjetër shtesë si kontigjencë brenda Ministrisë së Financave dhe për këtë arsye nuk do të ketë asnjë problem për implementimin e Ligjit për Pagat”, ka thënë ai.

Shahini ka thënë se mbi 308 milionë euro janë ndarë edhe për pensione dhe për kompensime.