Mbi 315 milionë euro mallra të importuara veç për një muaj në Kosovë

E publikuar: 22/11/2019 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2019

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.5% në muajin tetor 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 282.7 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 270.5 milionë Eurosh në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 10.3%.

Eksporti i mallrave në muajin tetor 2019 kishte vlerën 32.3 milionë Euro, ndërsa importi 315.1 milionë Euro, që është një rënie prej (-15.6%) për eksport, kurse një rritje prej 2.0% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 31.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.5% e përbëjnë produktet bimore; 6.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.6% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.0% e përbëjnë produktet minerale; 13.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (28) arritën në 13.2 milionë Euro, ose rreth 41.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia (12.8%), Gjermania (9.6%), Holanda (5.4%), Britani e Madhe (1.7%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (28) ishin rreth 160.3 milionë Euro, ose 50.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28.9%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0%), Italia (10.6%), Greqia (3.7%), Bullgaria (3.6%), Sllovenia (3.1%), etj.

Në muajin tetor 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 14.3 milionë Euro, ose 44.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-10.4%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18.9%), Maqedonia (12.0%), Serbia (7.5%), dhe Mali i Zi (4.2%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2019, arritën në 45.0 milionë Euro, ose 14.3% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-47.8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (6.9%), Shqipëria (6.3%), dhe Serbia (0.1%).

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 4.6 milionë Euro, ose 14.5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (7.9%) dhe Turqia (3.1%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 109.7 milionë Euro, ose 34.8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.5%) dhe Kina (10.0%).