Mbi 302 mijë lëndë “flenë” në gjykata

E publikuar: 16/03/2015 10:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pavarësisht se numri i gjyqtarëve është rritur nga viti në vit, numri i lëndëve të pazgjidhura nëpër gjykatat për Kundërvajtje në vend edhe më tutje vazhdon të jetë shumë i madh. Sipas të dhënave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Divizioni për Kundërvajtje, gjykatat e Kosovës vitin 2014 e patën nisur me 324 mijë e 578 lëndë të trashëguara.

Pos këtij numri të madh të lëndëve të trashëguara edhe 302 mijë e 792 sosh janë pranuar në gjykatat për Kundërvajtje gjatë vitit 2014, 277 mijë e 551 lëndë nga të cilat janë lëndë nga komunikacioni. Nga një llogaritje e thjeshtë del se vetëm gjatë vitit 2014, gjyqtarët për kundërvajtje në duar kanë pasur 627 mijë e 370 lëndë.

“Të zgjidhura gjatë kësaj periudhe kanë qenë 324 mijë e 578 lëndë, prej tyre nga komunikacioni janë zgjidhur 303 mijë e 472 lëndë”, ka njoftuar përmes një përgjigjeje të kthyer Zyra për media e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Teksa mbi 324 mijë lëndë janë zgjidhur edhe 302 mijë e 792 lëndë në gjykatat për Kundërvajtje vazhdojnë të jenë në dollapët e gjykatave anekënd Kosovës.

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Aishe Qorraj-Berisha, thotë se me gjithë këtë numër të madh të lëndëve që kanë mbetur të pazgjidhura, sipas strategjisë shtetërore të menaxhimit të lëndëve, sipas saj, nuk është që nuk është punuar. “Është punuar, por iu është dhënë përparësi disa lëndëve që janë prioritet për organet e drejtësisë”, ka thënë Qorraj-Berisha. /Zëri/