Mbi 270 të vrarë nga shpërthimi në Mogadishu

E publikuar: 16/10/2017 16:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i të vdekurve nga sulmi me një kamion bombë në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu ka arritur në mbi 270 vetë, duke e bërë atë sulmin terrorist më vdekjeprurës në historinë e këtij vendi. Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por grupi al-Shabab, që është aleat me Al-Kaidën, ka kryer vazhdimisht sulme në Mogadishu dhe në zona të tjera të vendit.

Ministri i Informacionit Abdirahman O. Osman në një mesazh në Twitter tha se 276 persona janë vrarë dhe rreth 300 të tjerë janë plagosur në këtë sulm.

Protestues të zemëruar të dielën marshuan drejt vendit ku ndodhi sulmi, duke dënuar terroristët. Disa prej tyre filluan të qanin kur arritën në vendin e ngjarjes dhe panë pasojat e shpërthimit.

“Ajo që ka ndodhur dje ishte një masakër. Në 27 vitet e fundit unë kurrë nuk kam parë një gjë të tillë. Pashë koka fëmijësh shkëputura nga trupi, për shkak të shpërthimit të fuqishëm. Ishte një ngjarje shumë tronditëse”, thotë Rahma Abdi Ali, banor i Mogadishut.

Protestuesti denoncuan grupin militant islamik al-Shabab, që ka kryer shpesh sulme në Mogadishu. Grupi deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së shtunës, por qeveria somaleze dhe ekspertët e terrorizmit besojnë se ai ishte përgjegjës për sulmin.

“Ky ishte një incident tragjik, dhe është një shenjë se Al-Shabaab vazhdon t’i ketë në shënjestër civilët e pafajshëm. Publiku somalez duhet t’i kuptojë tani, më shumë se kurrë, planet e këqija të grupit. Sot ai përsëri ka sulmuar civilë në një zonë të populluar”, tha Presidenti i Somalisë, Mohamed Abdullahi Farmajo.

Qeveria somaleze ka shpallur tre ditë zije kombëtare për të nderuar viktimat.

Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate tha se Shtetet e Bashkuara“e dënojnë ashpër sulmin”.

Në mesin e të plagosurve është edhe gazetari i Zërit të Amerikës në Mogadishu, Abdulkadir Mohamed Abdulle.