Mbi 230 të vdekur nga sulmi në Mogadishu

E publikuar: 15/10/2017 18:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i të vdekurve nga pasojat e shpërthimit të së shtunës në Mogadishu, kryeqytetin e Somalisë, ka arritur në 230, i tha Zërit të Amerikës zëvendës kryetari i Dhomës së Lartë të Parlamentit somalez, Abshir Mohamed.

Mbi 200 vetë u plagosën, përfshirë një gazetar të Zërit të Amerikës.

Presidenti i Somalisë, Mohamed Abdullahi Farmaajo, shpalli tre ditë zie ndërsa bëri thirrje për dhurim gjaku dhe ndihme për viktimat e sulmit.

Ai u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të bashkohen kundër terrorit, duke thënë se është koha të bashkohemi dhe të lutemi së bashku. “Terrorizmi nuk do të fitojë”, tha Presidenti.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në një kryeqëzim të ngarkuar në kryeqytetin somalez, por grupi militant islamik al Shabab, që është aleat me al Qaedan, ka kryer rregullisht sulme në Mogadishu dhe në zona tjera të vendit.

Abdulkaidr Mohamed Abdulle, korrespondenti i shërbimit somalez të Zërit të Amerikës, është mes të plagosurve. Gruaja e tij, konfirmoi për Zërin e Amerikës se ai ka pësuar plagë në koke, qafë dhe në dorën e djathtë.

Sulmi u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.