Mbi 17 mijë euro ka harxhuar Zyra e ish-kryeministrit Haradinaj në dy dreka zyrtare

E publikuar: 22/06/2020 23:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

17 mijë e 150 euro i kishte harxhuar Zyra e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në vetëm dy dreka zyrtare.

Drekat e darkat e shtrenjta të Haradinajt, që tani është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk janë arsyetuar, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit.

“Në dy pagesa të testuara për dreka zyrtare, njëra në vlerë 8,400€ dhe tjetra në vlerë 8,750€, përveç faturave me mbishkrimet se shpenzimet kishin të bënin me rastin e organizimit të pritjeve/koktejeve të caktuara, nuk kishte raport pranimi, e as listë të pjesëmarrësve apo agjendë të bashkëngjitur të ngjarjeve”, thuhet në raportin e Auditorit, raporton KOHA.

Përveç drekave, kabineti i Haradinajt ka shpenzuar para nga buxheti i shtetit edhe në udhëtime zyrtare. Madje, avancat e marra për këtë qëllim janë kthyer edhe me pesë muaj vonesë.

Zyrtarë të Zyrës së Koordinatorit Nacional për Reformë Zgjedhore, avancën prej 7 mijë eurosh e kishte përdorur edhe për udhëtime të tjera.

Avanca e tërhequr me datën 20.09.2018 në vlerë 7,000€ për udhëtimin zyrtar në SHBA, nuk ishte mbyllur deri më datën 20.03.2019, respektivisht me pesë muaj vonesë. Mjetet e kësaj avance ishin përdorur edhe në udhëtime të tjera nga i njëjti zyrtar, si në Kroaci, Turqi dhe Shqipëri. Kjo avancë ishte shpenzim nga Zyra e koordinatorit nacional për reforma shtetërore.

Në Zyrën e Kryeministrit, nga 6 mijë euro çdo muaj ishte paguar edhe një zyrtar për të cilin nuk dihet se çfarë shërbimesh ka kryer në pesë muajt e fundit të 2019-s.

“Në marrëveshjet e lidhura, ceket se eksperti angazhohet për kryerjen e shërbimeve profesionale, por nuk ka një përshkrim më të detajuar se çka nënkuptohet me këto shërbime”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas këtij raporti, zyra e kryeministrit në bashkëpunim me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit, kishte vazhduar edhe për 10 muaj të tjerë të paguajë një zyrtar e vozitësin e tij për një projekt që kishte përfunduar në dhjetor të vitit 2018.

Pagesat e bëra gjatë vitit 2019 në vlerë 7,840€ ndaj këtyre dy personave ishin bërë pa ndonjë raport për kryerjen e shërbimeve.

Mes të tjerash, si shpenzime të paparashikuara ka me qindra mijëra euro që ishin ndarë nga buxheti i Zyrës së kryeministrit.

“Shpenzimet kishin të bënin me ‘Ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës hekurudhore në muzeun Bllaca’ në vlerë 47,558€ dhe pagesa tjetër për ‘Ndarjen e shpërblimeve ndaj personelit arsimor dhe DKA-ve’, me rastin e organizimit dhe pjesëmarrjes në garat e Programit Nacional për Rini, në vlerë 57,870€”.

Raporti i Auditorit për Zyrën e Kryeministrit gjatë vitit 2019, ka gjetur shkelje edhe në subvencionimin e OJQ-ve.

ZKM kishte financuar persona fizikë pa dokumente të mjaftueshme. Testimet që i ka bërë auditori në 6 raste kapin vlerën e 28,550 eurove.

Për këto shkelje dhe të tjera, Agjencia Kundër Korrupsion ka konfirmuar se është duke kryer hetime.

Shaip Havolli ka thënë për “Interaktiv” se raportet më shqetësuese janë ato që ndërlidhen me punësime, menaxhim të financave publike dhe të tjera.