Mbi 10 të vrarë në një sulm në Kabul, i dyti brenda 3 ditësh

E publikuar: 29/01/2018 17:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

11 anëtarë të Ushtrisë Kombëtare Afgane u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në një sulm sot herët në mëngjes në akademinë ushtarake në Kabul.

Sulmi synonte një njësi ushtarake që garanton sigurinë për akademinë dhe jo vetë akademinë” tha një zëdhënës i ministrisë afgane të Mbrojtjes Dawlat Waziri.

Sipas dëshmitarëve përplasjet me armë pranë universitetit të Mbrojtjes Kombëtare, “Marshall Fahimi” vazhduan deri në agim.

Sipas zotit Waziri sulmi u krye nga pesë vetëvrasës. Dy hodhën veten në erë në hyrje të Akademisë Ushtarake Afgane ndërsa tre të tjerë u përpoqën të hynin brenda. Dy prej tyre u vranë ndërsa njëri u arrestua.

Shteti Islamik morri përgjegjësinë për sulmin duke e njoftuar në agjencisë e lajmeve Amaq të kontrolluar prej tyre.

Ngjarja vjen ndërkohë që qyteti nuk e ka marrë ende veten pas një sulmi vdekjeprurës këtë fundjavë që vrau më shumë se 100 vetë, shumë prej tyre policë. Ngjarja përkon me vizitën një ditore të presidentit indonezian Joko Widodo. Ky është sulmi i tretë në Kabul brenda 10 ditësh.

Si pasojë e një sulmi të pak ditëve më parë në hotelin Interkontinental të Kabulit u vranë disa dhjetra vetë, përfshirë 14 të huaj. Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se ndër të vrarët kishte dhe shtetas amerikanë.

Qeveria afgane është përballur me kritika të forta se ka dështuar në garantimin e sigurisë në kryeqytet. Politikanë si dhe banorë të Kabulit e kanë e cilësuar atë të dobët dhe joefektivë.