Mavraj: Dy fjalë për 1 Tetorin

E publikuar: 01/10/2016 12:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njëri prej organizatorëve të protestave studentore të vitit 1997, Muhamet Mavraj, ka treguar se prej asaj kohe kishte filluar të flitet ndryshe në Kosovë dhe për Kosovën. Ka rikujtuar se ajo kohë ishte me e lavdishmja edhe për shkak të unitetit veprues në tërë Kosovën

Lexojeni të plotë reagimin e Muhamet Mavrajt:

Sot është përvjetori i 19-të i protestave të 1 tetorit 1997. Dëshiroj me gjithë zemër t’ua uroj këtë ditë të gjithë pjesëmarrësve të protestës në të shtatë qendrat e mëdha të Kosovës, ku kishim fakultete dhe shkolla të larta (Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren e Gjilan); Urime të gjithë studentëve, profesorëve, qytetarëve patriotë që u solidarizuan pavarësisht presioneve të forta politike, patriotëve të patundur të lëvizjeve kombëtare brenda e jashtë vendit, institucioneve fetare të të gjitha besimeve tona që u solidarizuan plotësisht me ne. Me gjithë shpirt përkujtoj studentët dëshmorë, uroj familjet e tyre dhe i jap respekt e përkujtim rektorit Statovci.

Miq, më sa di, deri më sot, ajo ditë ka qenë dita më e madhe e unitetit veprues, pavarësisht ndonjë rasti të izoluar. Aty ishim të gjithë. Më pas filloi të flitet ndryshe në Kosovë e për Kosovën. Urime!

Për rastësi, sot është numri 5000 i gazetës “Epoka e re”, të cilën e udhëheqin plotësisht stafi i atyshëm, plotësisht të lirë dhe në mënyrën e tyre. Përgëzoj ata, të gjithë gazetarët e mëparmë dhe lexuesit dashamirë!