Matoshi: Teza që Shqipëria të bisedojë me Serbinë për Kosovën është e Dobrica Qosiqit

E publikuar: 02/09/2015 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisiti i njohur, Halil Matoshi ka reaguar ashpër ndaj dy kryeministrave, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij serb, Aleksandër Vuçiqiq, ku këta dy të fundit gjatë punimeve të Samitit të Vjenës, në emisionin “Fqinjësia” (Okruzenje), deklaruan se shqiptarët dhe serbët duhet të kenë bashkëpunime dhe ta bëjnë pajtimin.

Matoshi në një prononcim për “zeri.info” ka thënë se, për shtetin e Kosovës, Serbia mundet të bisedojë vetëm me Qeverinë e Republikës. Sipas tij, ideja që Tirana zyrtare të bisedojë me Serbinë për Kosovën është e Qosiqit.

“Për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj Serbia mundet të diskutoj dhe negocioj vetëm me Qeverinë e ligjshme në Prishtinë. Ndërsa me Tiranën mundet me fole “për top futbolli” e për “ndërtim hotelesh në Durrës” si dhe për pazare të ditës. Teza se për Kosovën duhet biseduar me Tiranën zyrtare është e Dobrica Qosiqit (“O razgranicenju s’Albanijom” – “Mbi përkufizimin me Shqipërinë”, mirëpo se fundi e kanë përdor edhe Boris Tadic e Ivica Dacic… Kesaj i thone “Me bë pazar pa hangjine”, ka thënë Matoshi.

Ndryshe, kryeministri Rama ka deklaruar se është hapur një faqe e re në marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Serbisë. Ai potencoi se dy shtetet por edhe shqiptarët dhe serbët në tërësi, mund të bëjnë për Ballkanin atë që bënë francezët me gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. “Bashkëpunimi rinor ishte një nga instrumentat e atij procesi historik që solli formësimin e BE-së dhe ne e kemi vendosur këtë”, ka thënë ai.

Po kështu, edhe Vuçiç i mëshoi bashkëpunimit. Ai tha se ka shqiptarë që janë racistë ndaj serbëve, ashtu siç ka serbë që janë racistë ndaj shqiptarëve.

“Qëndrimet raciste janë dhe nuk kanë ndryshuar tërësisht. Në mënyrë që të ndryshojmë duhet të bashkëpunojmë. Jemi dy popujt më të shumtë në Ballkanin Perëndimor dhe do të jemi edhe për 50 vite të tjera, ndaj duhet të bashkëpunojmë”, tha Vuçiç.