Matoshi para Komisionit Parlamentar, raporton për mjedisin, ajrin dhe projektet mjedisore

E publikuar: 20/11/2018 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vazhduar raportimin para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në të cilin ka vazhduar shqyrtimi i Raportit Vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017.

Ministri Matoshi para anëtarëve të komisionit tha se Ministria e Mjedisit është duke u angazhuar në përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së ajrit duke përmendur kështu një sërë veprimesh që janë ndërmarrë.

“ Për këta pak muaj që jemi në krye të kësaj ministrie jemi angazhuar fuqishëm me task forcën ‘Ta pastrojmë Kosovën’, kemi 1.2 milion euro grant të performancës për komunat nga viti 2019 që komunat të fillojnë të shpërblehen për kontributin që japin në menaxhimin e mbeturinave.

Me qëllim të krijimit të një menaxhimi të integruar të mbeturinave së bashku me MAPL-në dhe donatorët, GIZ dhe Zyrën e BE-së në Kosovë kemi krijuar një fond prej rreth 20 milion euro.

Po ashtu kemi propozuar qeverisë të marrë vendim për ndërprerje të thëngjillit në institucione publike. Ende është herët të tregohet se ku po zbatohet dhe sa po zbatohet ky vendim ”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi tregoi se në kuadër të angazhimeve si ministër i MMPH-së ka kërkuar të zbatohet kontrolli i emetimit të gazrave që lirohet nga veturat, kontrolli i derivateve të naftës që hyjnë në Kosovë dhe po ashtu konfiskimi i thëngjillit që shitet në rrugë ilegale.

“ Para dhjetë ditësh, kemi pasur një aksion për konfiskimin e thëngjillit që shitet rrugës në mënyrë ilegale. Në bashkëpunim me KPMM-në dhe policinë, janë konfiskuar shtatë kamionë me thëngjill. Ata janë dërguar në KEK ku edhe janë zbrazur.

Ministri Matoshi tha se buxheti për mjedis për vitin 2019 do të jetë 37 milion euro ndërsa tregoi se së bashku me donatorë ndërkombëtar, MMPH-ja tashmë ka hyrë në projekte të mëdha për trajtimin e ujërave të zeza dhe rritjen e rezervave ujore.

“ Tanimë kemi filluar me projekte shumë të mëdha që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza. Jemi në procedurë të ndërtimit, studimit të fizibilitetit dhe negocimit për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu edhe në rritjen e rezervave ujore që tashmë së fundmi kemi marrë përgjigje edhe nga Banka Botërore që është e gatshme të mbështes Kosovën në ndërtimin e së paku dy ujëmbledhësve të ri që do të ndikojnë në krijimin e rezervave ujore për vendin”, tregoi Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi gjatë mbledhjes së komisionit ka prezantuar edhe Udhëzimin Administrativ Nr.06/2018 për Ndëshkime me Gjoba Mandatore që ka për qëllim parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara për hedhje të mbeturinave.

Gjatë kësaj mbledhje, anëtarët e Komisionit kërkuan të informohen në lidhje me cilësinë e ajrit në Kosovë, gjendjen e lumenjve, pyjeve dhe krijimin e hartave zonale.

Po ashtu është diskutuar edhe për shtimin e 12 punëtorëve, roje të natyrës sidomos në rajonin e Kaçanikut dhe Shtërpcës për shkak të nevojave që kanë këto dy vende, në ruajtjen e parkut Sharr./Infosot