Matoshi: Me veprime konkrete po luftojmë ndotjen e ajrit

E publikuar: 10/04/2019 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka marrë pjesë në tryezën për mjedisin dhe shëndetin me fokus në ndotjen e ajrit, në kuadër të  projektit “Një Kosovë më e shëndosh”, e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Me këtë rast ministri Matoshi tha se ndotja e mjedisit është rrezik për shëndetin e njerëzve, por edhe të kafshëve e bimëve, andaj sipas tij duke pas parasysh gjendjen në të cilën është Kosova, MMPH-ja ka ndërmarrë disa masa për të ndaluar ndotjen e ajrit.

“ Jam i lumtur që përgjatë kësaj qeverie është arritur që të ndërmerren disa hapa konkret siç janë ndalimi i përdorimit të thëngjillit në institucione publike dhe në shkolla. Kemi ndërprerë një praktikë të mbi 3 mijë punëtorëve të KEK-ut, tu japim thëngjill falas. Kemi pasur një aksion së bashku me Policinë e Kosovës ku kemi sekuestruar disa kamion me thëngjill që janë shitur ilegalisht në Prishtinë dhe Fushë Kosovë”, tha Matoshi, transmeton Infosot.

I pari i MMPH-së, tregoi edhe për masat e tjera që janë ndërmarrë për përmirësimin e ajrit në Kosovë.

“ MMPH-ja ka lansuar aplikacionin  ‘Kosovo Air Quality dhe secili qytetarë në kohë reale mund të informohet për cilësinë e ajrit. Këtë vit do të filloj edhe projekti i madh i ndërrimit të filtrave të Kosovës B, që financohet nga fondet e IPA-së, në vlerë prej 78 milion euro. Në muajin qershor do të hyj në funksion pulla mjedisore te kontrolli teknik i automjeteve ku do të matet emetimi i gazrave”, deklaroi Matoshi.

Ministri Matoshi, tha se përveç cilësisë së ajrit, Kosova ballafaqohet edhe me mungesë të ujit dhe hedhjen e mbeturinave në vendet e palejueshme.

Matoshi tregoi se MMPH-ja ka lëshuar dy licenca për operatorë ekonomik  që do të trajtojnë barnat medicionale me afat të skaduar dhe mbeturinat nga trajtimet medicionale.

Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili tha se institucione e vendit, së bashku mund të ja dalin në përmirësimin e cilësisë së ajrit e që kjo ndikon në shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

“Prania jonë këtu është dëshmi se dëshirojmë që të merremi me këtë çështje. Është një lloj shenje që ne e ndajmë të njëjtën brengë. Interesi publik  në mjedis dhe statusin shëndetësor është rritur në vitet e fundit, megjithatë ende ka mungesë të vetëdijesimit  të publikut për shumë rreziqe të mëdha mjedisore”, tha ministri Ismaili.

Ndërsa Anne Dosert, shefe e Zyrës së Luksemburgut tha se është e kënaqur me bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës për të krijuar mekanizma për përmirësimin e ajrit nga ndotja.

“Ky takim është i shkëlqyeshëm. Është shumë mirë që sot së bashku edhe me dy ministrat të Mjedisit dhe Shëndetësisë po i bashkojmë forcat për të trajtuar çështje të mjedisit”, tha Dosert.

E koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson tha se  temat që kanë të bëjnë me mjedisin dhe shëndetin janë shumë urgjente dhe të rëndësishme.

” Është shumë i rëndësishëm ky partneritet multi-sektorial për të trajtuar një temë kaq të madhe që ka të bëj me mjedisin dhe shëndetin”, tha Richardson.

Gjatë kësaj tryeze,  i pranishëm ishte edhe Oliver Shmoll nga Organizata Botërore e Shëndetësisë i cili ka prezantuar një raport për mjedisin dhe shëndetin në Rajonin Evropian të OBSH-së si dhe vlerësimin e ndikimit të cilësisë së ajrit dhe shëndetit.

Po ashtu gjatë kësaj tryeze u shfaqën prezantime edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Shëndetësisë./Infosot/