Matoshi mbështet iniciativat për riciklim të mbeturinave

E publikuar: 18/03/2019 16:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në shënimin e Ditës Botërore të Riciklimit, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e komunës së Vushtrrisë, përfaqësues të bizneseve dhe shoqërisë civile, sot kanë lansuar kampanjën “Ruje mos e gjuj”, përmes së cilës synohet ngritja e vetëdijes për rëndësinë e sistemit të duhur për menaxhimin e mbeturinave dhe riciklimin e tyre.

Me këtë rast është nënshkruar edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet ministrit Matoshi, kryetarit Tahiri dhe partnerëve të tjerë të implementimit të projektit “Ruje mos e gjuj”.

Para të pranishmëve, ministri Matoshi tha se ky projekt është i rëndësishme sepse mundëson mbledhjen dhe riciklimin e shisheve dhe kënaçeve për të evituar ndotjen e mjedisit.

“ Shteti ynë asnjëherë më parë nuk ka qenë më afër dhe më fuqishëm se tani në eliminimin e ndotjes nga plastika dhe mbeturinat në përgjithësi. Në rrugën tonë të përbashkët të ndarjes nga mbeturinat, kërkohet një përkushtim më i madh i komunave të Republikës së Kosovës dhe vetëdijesim i qytetarëve mbi mbrojtjen e mjedisit nga ndotja”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi tregoi se MMPH-ja me mbështetjen e GIZ-it gjerman, këtë vit ka nisur hapat për krijimin e sistemit të kthimit të depozitave, dhe rimbursim  për çdo shishe të kthyer .

“ Krahas kësaj siç e dini, në fushën e menaxhimit të mbeturinave, bashkë me GIZ-in kemi lansuar edhe Grantin e Performancës prej 7 milion euro, grant ky i cili do të jepet për komunat që plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kështu do të arrijnë që të kemi një sistem efikas të menaxhimit të mbeturinave dhe kthim të tyre në benifite për vendin”, tha Matoshi.

Ndërsa kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri vlerësoi bashkëpunimin me nivelin qendror duke thënë se komuna që ai drejton është liderë në ndarjen e mbeturinave në burim.

Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin edhe drejtori ekzekutiv i Coca-Cola HBC Kosova, Neritan Tira dhe drejtoresha ekzekutive e “Green Art Center”,  Merlina Beu Muçaj, të cilët e vlerësuan si të dobishme këtë projekt.

Projekti “Ruje, mos e gjuj”, që ka për qëllim mbledhjen e shisheve të plastikës dhe kënaçeve do të zgjatë 9 muaj duke filluar nga 18 marsi deri më 30 nëntor 2019./Infosot/