Matoshi: Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, solli një sërë masash

E publikuar: 06/12/2018 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me ministra, zëvendësministra, dhe shoqërinë civile, sot kanë mbajtur takimin e radhës së Task Forcës për pastrimin e ambientit.

Me këtë rast, ministri Matoshi, tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka ndërmarr një sërë veprimesh gjatë këtij tre mujori të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

“E konsiderojë të suksesshëm aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’ edhe në plotësimin e aspektit ligjor. Kemi premtuar në fillim të fushatës që do të nënshkruhet dhe do të hyj në fuqi Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore dhe ka një muaj që ky udhëzim ka përfunduar. Po ashtu e kemi përfunduar edhe draftin final të Strategjisë për Menaxhimin e Mbeturinave ashtu siç jemi zotuar dhe kemi premtuar në fillim të kësaj fushate”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi, tregoi se gjatë kësaj periudhe është shpallur edhe granti prej 1.2 milion euro për përformancen e komunave më të suksesshme të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” ashtu siç ishte premtuar.

Matoshi tregoi se gjatë periudhë së aksionit për pastrimin e ambientit janë marrë edhe disa veprime që do të kontribuojnë për ruajtjen e mjedisit.

“ Gjatë këtij aksioni, kompanive të pastrimit u janë shpërndarë 1 mijë uniforma për punëtorët. Së bashku me GAC-in dhe ‘Let’s do it Kosova’, jemi në hartimin e planit për shpërndarjen e 500 kontejnerëve dhe 500 shportave që do të vendosen në pika kufitare, breze rrugore dhe përgjatë brezeve të liqeneve. Janë vendosur dhe po vazhdojnë të vendosen 500 tabela me të cilat kërkohet të mos hedhën mbeturina në vende të caktuara. Po ashtu jemi përcaktuar për 6 kriteret që duhet t’i plotësojnë komunat për të fituar grantin prej 1.2 milion euro”, tregoi Matoshi.

Ndërsa Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova “, prezantoi raportin preliminar për aktiviteteve për pastrimin e ambientit nga 15 shtatori deri më sot.

“ Janë 707 lokacione të cilat janë pastruar në të gjitha komunat e Kosovës gjatë periudhës sa ka zgjatur aksioni. Deponitë janë shumë të mëdha dhe ka lokacione që janë larguar deri 600 kamion. Është një numër mbi 30 milion mbetje ndërtimore të cilat janë larguar gjatë këtyre muajve sa ka zgjatur aksioni”, tha Hasanaj.

Ndërsa ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tregoi se ky dikaster ka kontribuar në largimin e deponisë në Mirash të Obiliqit.

“ Forca e Sigurisë së Kosovës e ka mbështetur aksionin, i cili ka fituar nga 15 shtatori deri më tani. Ne e kemi pasur një prej detyrave që t’i bartim mbeturinat nga deponia në Mirash- Obiliq, dhe deri më tani janë bartur diku 200 kamion të mbeturinave”, tha Berisha.

Edhe anëtarët e tjerë të Task Forcës për pastrimin e ambientit, kanë raportuar për punët e kryera gjatë periudhës së këtij aksioni./Infosot/