Mashtrimi më i kushtueshëm në internet buron nga dashuria

E publikuar: 14/02/2019 11:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nevoja për të dhënë dhe marrë dashuri është një prej dobësive më të lehta njerëzore për tu shfrytëzuar. Mbase e keni ditur megjithatë Komisioni Federal Tregtar Amerikan dëshiron tu rikujtojë për rastin e festës së Shën Valentinit.

Në një raport të publikuar ditën e Mërkure FTC tha se mashtrimet me tematika romance janë ndër llojet më të përhapura të mashtrimeve në SHBA.

Në 2018-ën FTC mori afro 21,000 raportime të mashtrimeve të kësaj kategorie, një rritje e ndjeshme krahasuar me 2015.

Pasojat financiare janë katërfishuar nga 33 milionë dollarë në 2015-ën në 143 milionë dollarë në 2018-ën.

Një mashtrim romance konsiderohet një situatë ku një person pretendon se është i interesuar për një romancë me një tjetër për të marrë para prej tyre.

Raporti vijon për të shpjeguar metodat më të përdorura. Mashtruesit joshin njerëzit me profilet online duke marrë fotografi nga uebi të personave tërheqës.

Shumica e njerëzve thonë se mashtrimi ka nisur me një mesazh në Facebook. Sipas FTC këta mashtrues zakonisht kërkojnë para duke përdorur arsyetime si probleme shëndetësore apo ndonjë fatkeqësi.

Moshat e mesme raportojnë humbje financiare deri në 2,600 dollarë ndërsa viktimat e moshave 70 e sipër mbi 10,000 dollarë.

Kjo nuk është hera e parë që FTC flet për mashtrimet e kësaj kategorie. Në një rast ekstrem një burrë kishte dërguar 600,000 dollarë një gruaje në Norvegji përgjatë katër muajve. Ajo i kishte thënë se dëshiron të martohej me të.

Një grua tjetër kishte dërguar 75,000 dollarë një burri që thoshte se ishte ushtar në Afganistan. /PCWorld Albanian