MASHT-i bëhet çerdhe e militantëve të Nismës

E publikuar: 26/09/2018 09:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është shndërruar në çerdhe të militantëve dhe përkrahësve të partisë Nisma Socialdemokrate, nga vjen ministri Shyqiri Bytyqi, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo ministri tash e disa muaj është duke i sistemuar në departamente të ndryshme anëtarët e Nismës Socialdemokrate. Madje, sipas burimeve të gazetës, aty janë rehatuar edhe familjarë të vetë ministrit.

Ndonëse Ministria deri para pak muajsh i mbante të fshehura vendimet, së fundi ka nisur t’i publikoi në uebfaqe megjithëse të selektuara. Aty janë publikuar vetëm 12 vendime të personave të pranuar këtë vit, por gazeta ka siguruar emrat e edhe shumë të tjerëve të punësuar në këtë institucion.

Në vendimet për pranimin e të punësuarve në MASHT thuhet se punësimi i tyre është bërë për një periudhë 6-mujore. Megjithatë, gazeta ka siguruar dokumente ku shihet se disa prej të punësuarve e për të dytën herë brenda vitit u është ripërtërirë kontrata edhe për nga 6 muaj të tjerë.

Burime të gazetës brenda MASHT-it kanë thënë se në mesin e personave të rehatuar në MASHT janë edhe dy familjarë të ministrit Shyqiri Bytyqi.