Marty: Nuk dihet krejt e vërteta për krimet në Kosovë

E publikuar: 12/05/2019 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish- raportuesi i Këshillit të Evropës lidhur me atë që u quajt “trafikim me organet njerëzore në Kosovë”, Dick Marty, ka deklaruar se “nuk dihet e gjithë e vërteta për krimet në Kosovë.

Ai ka shtuar se shumë fajtorë nuk janë përgjigjur për ato që janë bërë.

“Vetëm e vërteta rreth konfliktit në Kosovë mund të sjellë pajtimin. Unë shumë pak e kam zbuluar. Ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë”, ka thënë për “veçernje novosti” Dick Marty, transmeton Koha.net.

Marty ka theksuar se libri i tij më i ri Një ide për drejtësinë (Une certaine idée de la justice), botim i vitit 2018, pos për zhvillimet në Çeceni dhe atyre rreth CIA-s, flet edhe për Kosovën.

Sipas gazetës së Beogradit, libri përmban “elemente që Marty i ka zbuluar me hulumtimet e veta në të cilat shumë krime dhe kriminelë kanë mbetur të padënuar, siç është dhe rasti me liderët shqiptarë në Kosovë”.

Në këtë shkrim përcillen fjalët e Martyt “se është humbur shumë kohë për themelimin e Gjykatës për krime të lufte të UÇK-së”.

Ai ka theksuar se ende nuk ka rezultate prandaj, sipas tij, epilogu i gjithë rrëfimit për përgjegjësit e krimeve në Kosovës është i pasigurt.