Marrin 1500 euro, pa llogaritur pagat

E publikuar: 08/04/2015 10:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit i caktojnë vetes beneficione të mëdha. Ata marrin rreth 1500 euro në muaj pa llogaritur pagat.

Ndonëse Kosova njihet si ndër vendet më të varfra jo vetëm në rajon, por edhe Evropë, zyrtarë të ndryshëm të shtetit tonë marrin paga të majme, të cilat pa dyshim se lakmi do t’ua kishte çdokush. Ndër ata që marrin paga të majme, por njëkohësisht edhe shtesa, janë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku vetëm shtesa për punën që bëjnë si anëtarë të KD-së, shkon deri në 1500 euro në muaj, edhe pse në të shumtën e herëve mbajnë vetëm një mbledhje në muaj, shkruan sot “Kosova Sot”.

Për këtë është i bindur edhe vetë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili thotë gazetën , se të ardhura apo shpërblime të tilla janë caktuar nga vetë UP’ja.

“Mjerisht, kjo paraqet abuzim të fondeve të kufizuara të Universitetit të Prishtinës dhe nuk përkon me punën që bën Këshilli Drejtues i UP-së”, thotë Bajrami.

“Këshilli Drejtues i UP-së, sipas informatave që unë kam, takohet një herë në muaj dhe për këtë merr të ardhura rreth 1000 euro në muaj, 120 euro për karburante, 130 euro për telefon, 150 euro për reprezentacion, 50 euro për mbledhje për angazhimet nëpër komisione dhe 600 euro për orë mësimore të mbajtura”, tha ministri i MASHT’it, Arsim Bajrami.

Shefkije Islamaj, kryetare e Këshillit drejtues i tha gazetës “Kosova Sot”, se janë zbritur honorarët qysh në maj të vitit të kaluar, por sipas saj ajo rregullore ende nuk është miratuar nga Ministria e Administratës Publike.

“Ne tashmë kemi themeluar komisionin tjetër që do t’i rishikojnë të gjitha këto, edhe për derivate, telefonat dhe shtesat, por ne nuk i marrim aq para sa po i përmendni për një mbledhje”, tha ajo.

Islamaj bëri të ditur se Komisioni i formuar për shkurtim të honorarëve ka filluar punën.

“Këto pagat që i marrim tani janë miratuar nga Këshilli Drejtues i kaluar. Zbritjet e rrogave kemi kërkuar të bëhen për 30 %, por unë jam e vetmja nga anëtarët e Këshillit Drejtues që kam marrë pagë për 50 % më pak”, tha ajo.

Edhe Halim Hyseni, anëtar i këtij Këshilli tha se rregullisht mbahen deri në tri mbledhje në muaj.

“Duke përjashtuar muajin mars kur është mbajtur vetëm një mbledhje, sa më kujtohet mua gjatë gjithë kohës janë mbajtur nga 3 e më shumë mbledhje”, thotë ai.