Marketet kushtëzojnë prodhuesit

E publikuar: 20/02/2016 13:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa udhëheqës të kompanive prodhuese në Kosovë, tregojnë se për të plasuar produktet e tyre në markete dhe në qendra tregtare, kushtëzohen nga tregtarët me mjete materiale, ose që dërgesën e parë ta vendosin falas në vitrinat ekspozuese.

Të gjendur në një situatë ku pengesë është edhe konkurrenca jo e drejtë, kompanitë prodhuese për t’i mbijetuar falimentit, janë të detyruar t’i pranojnë edhe këto kushtëzime.

Këto shqetësime disa herë i kanë ngritur edhe udhëheqës të Odës Ekonomike të Kosovës, sipas të cilëve, prodhuesit në Kosovë, po ballafaqohen me probleme të jashtme dhe të brendshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke treguar presionet që u bëjnë tregtarët prodhuesve, thotë se kjo paraqet vështirësi në zhvillimin e veprimtarive të tyre.

“Tregtarët kërkojnë që dërgesa e parë të jetë gratis; e dyta, kompanitë tregtare vendosin për çmimin e prodhimit vendor, sepse përmes këtij çmimi i mbrojnë përfaqësitë e tyre nga kompanitë e huaja”.

“E treta, kompanitë vendore duhet të paguajnë me para ekspozimin e produkteve në markete; dhe e katërta, është koha e pagesës që e determinon tregtari dhe jo prodhuesi. Dhe, në fund të vitit të duhet të ulen të bisedojnë për një provizion ose për një shumë të parasë që duhet t’i jepet prapë tregtarit”, thotë Gërxhaliu.

Ramadan Gërxhaliu është pronar i kompanisë prodhuese “Inxhiniering – Prokim”, kompani kjo që bën prodhimin e dhjetëra produkteve higjienike dhe ushqimore.

Gërxhaliu tregon për Radion Evropa e Lirë, se vetëm për t’i futur për herë të parë produktet e tij në dyqane të ndryshme në Kosovë, fillimisht duhet paguar 200 euro, e më pas vijnë kushtet tjera.

“Në çdo market që i dërgojmë produktet, faturën e parë duhet ta lëmë grastis, e dyta, për të hyrë në market për herë të parë kërkohen nga 200 euro dhe për çdo barkod kërkohen 41 euro. Kurse, kompania jonë ka rreth 30 produkte dhe vetëm në një market të hyjë, më kushton deri në 500 euro”, tregon Ramadan Gërxhaliu.

Pronari i kompanisë përpunuese të mishit “Meka”, Burim Piraj, tregon se ka raste kur tregtaret kërkojnë mjete materiale, por ai shpreh shqetësimin se kompanitë tregtare hapësirë të veçantë në vitrinat e tyre ekspozuese u rezervojnë produkteve të importuara.

“Ata i anashkalojnë produktet vendore, për arsye se i kanë përfaqësitë e produkteve të huaja dhe prodhuesit ndërkombëtarë u bëjnë vazhdimisht presion për shitje sasiore, ose e ndërrojnë personin që bën distribumin e produkteve të tyre. Kështu që ata vazhdimisht janë nën trysnin e tyre dhe u japin hapësira më të mira në marketet e tyre”, thotë Piraj.

Ndryshe, përveç kushtëzimeve që prodhuesve u bëjnë tregtarët në vend, sektori i prodhimit dhe përpunimit disa herë ka përmendur si sfidë edhe mungesën e energjisë elektrike, kamatat e larta për kredi, konkurrencën jo të drejtë dhe politikat fiskale jo shumë të favorshme